Hulumtim: 51 për qind e të rinjve konsiderohen fetarë

Dyzet e dy për qind e të rinjve pajtohen plotësisht se shteti i respekton plotësisht të drejtat dhe liritë fetare të qytetarëve dhe 36 për qind deri diku pajtohen me këtë pohim.
Këtë, siç kumtoi Instituti për kërkime politike – Shkup, e tregojnë rezultatet e sondazhit të titulluar “Edukimi fetar i të rinjve”, i zbatuar në gusht tek 1.103 të anketuar të rinj midis moshës 18 dhe 35 vjeç, në nivel nacional përmes telefonit.
Nga numri i përgjithshëm i të anketuarve, 23 për qind mendojnë se nëse liritë dhe të drejtat fetare rrezikohen, institucionet për mbrojtjen e atyre të drejtave reagojnë në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur, 25 për qind ranë dakord, 21 për qind pjesërisht nuk ishin dakord, ndërsa 15 për qind nuk ishin aspak dakord.
Sipas 48 për qind të të anketuarve, institucionet reagojnë nëse rrezikohen liritë fetare, ndërsa 36 për qind besojnë se institucionet nuk reagojnë si duhet kur të drejtat dhe liritë fetare rrezikohen.
Rezultatet e studimit tregojnë se 51 për qind e të anketuarve thanë se e konsideronin veten fetarë, ndërsa 34 për qind shtesë thanë se e konsideronin veten deri diku fetarë, duke përfaqësuar një total prej 85 për qind të të gjithë qytetarëve të rinj midis moshës 18 dhe 35 vjeçare.
Hulumtimi u krye nga prof. dr. Tanja Karakamisheva Jovanovska, prof. dr. Aleksandar Spasenovski dhe prof. dr. Vladimir Bozhinovski, në bashkëpunim me Institutin për Kërkime Politike – Shkup.