Hapësira Socio Kulturore në Tetovë rrezikon të shuhet, komuna kërkon t’ua merr objektin

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 21 Tetor, 2022 20:04

Hapësira Socio Kulturore në Tetovë rrezikon të shuhet, komuna kërkon t’ua merr objektin

Hapësira Socio Kulturore me rreth 40 vullnetarët e saj rrezikojnë të dalin në rrugë, pasi Komuna e Tetovës u ka dërguar një letër që në afat sa më të shkurtër t’i lirojnë hapësirën ku ata funksionojnë tek ish “Radio Tetova”. Kjo hapësirë është nën Komunën e Tetovës mirëpo sipas një memorandumi të bashkëpunimit, e njëjta shfrytëzohet nga Hapësira Socio Kulturore deri në vitin 2024. Por, Komuna e Tetovës ka lëshuar vendim që të rimerr në shfrytëzim këtë hapësirë. Vullnetarët shprehen të dëshpëruar pasi për katër vite kanë investuar aty në shumë aktivitete si dhe në mirëmbajtjen e hapësirës. Kryetari i Komunës së Tetovës sot nuk kishte kohë të jep sqarim, shkruan Portalb.mk.

Hapësira Socio Kulturore njofton se aktivitetet e tyre dhe funksionimi i këtij komuniteti është në rrezik pasi Komuna e Tetovës përmes një letre të nënshkruar nga kryetari i Komunës së Tetovës, të hënën u ka kërkuar që në periudhë prej katër ditëve të lëshojnë hapësirën, të cilën ata e shfrytëzojnë tani e katër vjet. Siç thonë ata, pa ndonjë arsyetim të qartë dhe logjik.

Vendimi i Komunës së Tetovës për lirimin e hapësirës

“Pas këtij lajmërimi, ne kontaktuam drejtpërdrejt dhe me shkrim organet komunale, ndërsa për 3 ditët e ardhshme, në dy takime me përfaqësues të administratës na u premtua që do të gjejmë zgjidhje dhe se do të shfuqizohet apo rishikohet vendimi. Sot ne morëm një email që në vend të shfuqizimit, sugjeronte prolongim të vendimit deri më datën 30.10.2022. Po, mundi dhe sakrifica jonë për më shumë se 4 vite vlejnë vetëm 4 ditë për administratën komunale që udhëheq me komunën sot”, thonë nga Hapësira Socio Kulutrore.

Ndërkaq thonë se Komuna shkel edhe memorandumin mes tyre që të shfrytëzojnë hapësirën deri në vitin 2024.

“Ne ndjehemi të fyer, të nënvlerësuar, dhe të tradhtuar nga ata që do duhej të ishin krahu jonë dhe të ofronin ndihmë, e që po shndërrohen në sfidë qendrore për mbijetesën e një tradite autentike që i ka munguar qytetit dhe që duhet së bashku ta kultivojmë.  Modestia jonë nuk na ka lejuar që të përsëritemi për punën e palodhshme dhe të sinqertë vullnetare që kemi bërë në vazhdimësi për këto 4 vite dhe që vazhdojmë ta bëjmë për qytetin, që kur krijuam diçka nga asgjë, me ndihmën e grupeve bashkëpunuese vullnetare nga Brukseli dhe Prishtina, si dhe Democracy Lab, e të përkrahur nga fondacioni evropian Erasmus+”, thanë nga Hapësira Socio Kulturore.

Ata thonë se ideja e vullnetarizmit shoqëror dhe kulturor është në rrezik nga keqkuptimi i autoriteteve lokale për sa i përket filozofisë së tyre të funksionimit kolektiv të pavarur, në barazi dhe në mënyrë horizontale, në hapësirën publike të cilën:

“1) komuniteti jonë i gjerë e riaktivizoi në mënyrë vullnetare objektin në korrik të vitit 2018, pas 10 viteve në braktisje dhe mosfunksionim;

2) e për të cilën në vitin 2020 përgatiti projektin dhe ndihmoi vullnetarisht në realizimin e punimeve në rinovimin e dytë në vitin 2021, si pjesëmarrës në projektin e UNDP për “Përforcimin e këshillave komunal”, i implementuar nga “Programi për zhvillim i kombeve të bashkuara” – UNDP, me fonde të siguruara nga Agjencioni Zviceran për zhvillim dhe bashkëpunim (SDC) – Ambasada Zvicerane në Maqedoninë e Veriut;

3) dhe së fundmi, në të cilën, nga marsi i vitit 2022 vazhdon të aplikohet projekti i përkrahur nga European Endowment For Democracy, fondi i së cilës nuk mund të shfrytëzohet pa hapësirën tonë. Aty për periudhën e parë vetëm se janë investuar pajisje për funksionimin e hapësirës dhe organizmin e vazhdueshëm të ndodhive me interes publik. Mu këtë periudhë e kemi të planifikuar edhe aplikimin e projektit “Red Ribbon” (intervenim urbanistik komunitar në lagjen e hapësirës) të fituar përmes Minsitrisë së Kulturës së RMV-së, për të cilin kemi marrë aprovimin edhe nga ana e Komunës së Tetovës”, thanë nga Hapësira Socio Kulturore.

Portalb.mk sot vizitoi këtë hapësirë dhe nga biseda me vullnetarët, ata kërkojnë që të respektohet memorandumi pasi nuk ka arsye që të ndërpritet i njëjti, pasi ata aktivitetet i bëjnë vullnetarisht dhe pa përfitim dhe se qyteti dhe të rinjtë nuk meritojnë një gjë të tillë.

Ndërkaq, thonë se kryetari i komunës nuk i ka vizituar asnjëherë si komunitet vullnetar që funksionojnë apo të ju ofrojë ndihmë.

Për këtë kërkojnë mbështetje të qytetarëve dhe OJQ-ve në qytet që hapësira të vazhdojë funksionimin si deri tani. Ata madje thonë se janë të hapur që aty të realizohen aktivitete edhe nga ana e komunës, pasi të njëjtën e bëjnë edhe me të rinjtë dhe organizata tjera.

Ata shprehen të vendosur që të qëndrojnë në hapësirë, nuk e hedhin poshtë paraqitjen e rastit para organeve të drejtësisë.

Portalb.mk për të gjithë rastin sot kërkoi të merr prononcim nga kryetari i komunës, mirëpo nga kabineti na njoftuan se sot nuk ka mundësi pasi e kanë agjendën e ngjeshur dhe se nuk kanë kohë, ndërsa nesër do të ketë konferencë për shtyp.

Ndryshe, sot dhe nesër Hapësira Socio Kulturore ka organizuar ditët e hapura me aktivitete të ndryshme duke filluar nga ora 13 deri në ora 23, për t’u informuar nga afër me aktivitetet siç thonë për të dhënë porosi të qartë që Space Tetova mbetet për të gjithë ne.

Foto: Hapësira Socio KulturoreFoto: Hapësira Socio Kulturore

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 21 Tetor, 2022 20:04

11:34:32 am
Dje (23 nëntor) rreth orës 20:00 në rrugën “Dushko Popoviq”...
11:33:03 am
Mbrëmë (23 nëntor) rreth orës 19:10, në rrugën e “Ilindenit”...
11:32:03 am
Pjestarët e policisë të SPB Tetovë mbrëmë (24 nëntor) dhjetë...