Gostivar, nis edicioni i gjashtë i festivalit të teatrove “Othello”

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 15 Shtator, 2022 09:21

Nis edicioni i gjashtë i festivalit të teatrove “Othello” në Gostivar. Ky edicion i cili fillon sonte, do të hapet nga trupa e Teatrit të Ankarasë nga Republika e Turqisë, e cila vjen për herë të parë në Gostivar. Për gjashtë netë me rradhë, respektivisht deri më 17 shtator, para publikut gostivaras do të vendosen në skenë shfaqe nga teatro të ndryshme.

Pas atij nga Ankaraja, të martë në skenën e Pallatit për Kulturë në Gostivar ngjitet Teatri i Tiranës nga Shqipëria, të mërkurën ai i Shkupit “Fabrika” në gjuhën maqedonase, nata e katërt është e rezervuar për SPAM Studio nga Bullgaria, të premten vjen Teatri i qytetit të Prizrenit nga Kosova, ndërsa nata e gjashtë dhe e fundit mbyllet me teatrin e Preshevës. Berat Saliu, producent i festivalit, bën të ditur se përpjekjet kanë shkuar në drejtim që para gostivarasve të prezantohen ato vepra të cilat komunikojnë mjaftë mirë me publikun. Ai ftoi artdashësit të bëhen, siç theksoi, pjesë e kësaj feste të madhe në Gostivar.

Drejtrori i festivalit “Othello”, Argjend Hasani sqaroi se festivali edhe sivjet do të jetë garues dhe do të ndajë katër çmime: shfaqja më e mirë, regjia më e mirë, aktorja më e mirë dhe aktori më i mirë.

Të gjitha shfaqet për gjashtë netë rradhazi do të jepen te Pallati për Kulturë në Gostivar dhe do të fillojnë në ora 20, ndërsa hyrja edhe sivjet do të jetë falas. Ndryshe, edicioni i gjashtë i festivalit të teatrove “Othello” mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Komuna e Gostivarit dhe Qendra për Kulturë në Gostivar.

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 15 Shtator, 2022 09:21