Fotografi e vjetër nga tregu i gjelbër i qytetit
Gostivari Sot publikon një fotografi të vjetër nga qendra e qytetit në Gostivar, respektivisht tregu i bylmetit apo pazari i vogël siç njihet në popull.
Fotografia daton pas vitit 1940, pasi po të njëjtin vend dikur ishte e ndërtuar një Xhami por që pushteti jugosllav e rrënoi.
Në periudhën e viteve 1945-1960 në Gostivar pushtuesi i kohës filloi realizimin e projektit të Çubrilloviqit për shpërnguljen e shqiptarëve dhe turqve për në Turqi.
Përveç formave tjera për nxitjen e shpërnguljes pushtuesi i atëhershëm filloi të aplikojë edhe forma tjera të zhdukjes së objekteve me rëndësi historike, kulturore dhe fetare në Gostivar.
Panoramën e Gostivarit të vjetër e zbukuronin xhamitë me minare të ndërtuara në stilin oriental.
Ishin dy objekte fetare Islame që ishin ndërtuar në pjesën qendrore të qytetit, njëra tek hapësirat e
parkut në sheshin e qytetit, dhe tjetra tek tregu i gjelbër.
Kjo pamje e Gostivarit pushtetin e atëhershëm e irritonte prandaj duhej të ndërmarrë fushatë për ta irrituar popullatën e konfeksionit Islam, e cila sipas tyre fatin e vet duhej ta gjente në tokat përtej Anadollit dhe jo këtu, ku kishin jetuar gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre. Driton Zenku, Gostivari Sot