Flaka, Lobi, Observeri, Front Page dhe Gostivari Sot ua urojnë Vitin e Ri 2023. Gëzuar!

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 31 Dhjetor, 2022 23:57

Të nderuar lexues të kompanisë më të madhe mediatike të mediave online në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, “Flaka Media Group”, stafi ynë ua uron Vitin e Ri 2023 dhe ju dëshiron shëndet, gëzime dhe suksese në 365 ditët e ardhshme.

Të dashur ndjekës tanë, pas nesh është një vit i ri i rrethanave tepër të vështira, një luftë brenda kufijve të Evropës, një krizë ekonomike dhe energjitike botërore që nuk e anashkaloi vendin tonë me të gjitha pasojat e saj e që ndikoi në jetesën e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Kemi kaluar një vit në të cilin çmimet e produkteve bazë të jetës po rriteshin me shpejtësi të madhe, u rrit çmimi i energjisë elektrike, gazit dhe karburanteve.

Paga minimale është rritur në 18.000 denarë në kushtet kur çmimi i një litër vaji për gatim ka arritur në 160 denarë, ndërsa një litër karburant mbi 100 denarë.

Qeveria bëri përpjekje për të frenuar rritjen e pakontrolluar të çmimeve në kurriz të qytetarëve, ndërsa ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ngelën në kufijtë e ekzistencës.

Mbetet detyrimi dhe sfida e shtetit që në periudhën e ardhshme të përballet me korrupsionin, reformat në drejtësi dhe të zgjidhë skandalet që lidhen me arsimin, shëndetësinë dhe drejtësi.

Grupet e margjinalizuara kanë mbetur në margjinat e mbijetesës.

Rruga evropiane është hapur, por në të njëjtën kohë janë ngritur barrierat për integrimin evropian nga brenda, zgjidhja e të cilave pritet ende në vitin 2023 nëse krijohet një shumicë që synon të ndryshojë Kushtetutën dhe të përfshi pakicën bullgare në Kushtetutë, si kusht për vazhdimin e integrimit në BE. Përndryshe, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të pashmangshme.

Të nderuar lexues tanë, Ju faleminderit për besimin që na keni dhënë si një media e përgjegjshme, e paanshme dhe objektive që informon dhe analizon përmes ekipit gazetaresk, përmes pesë mediave elektronike: Flaka, Gostivari Sot, Front Page, Gazeta Observeri dhe Lobi Maqedoni.

Në vitin e ardhshëm 2023, ne do të vazhdojmë sipas standardeve dhe etikës gazetareske t’ju informojmë në kohë, objektivisht dhe nga të gjitha këndvështrimet për problemet më të rëndësishme dhe ngjarjet që po ndodhin në vend, rajon dhe botë.

Na ndiqni në vitin e ri 2023, sepse media juaj e preferuar do të mbetet në anën tuaj. Edhe njëherë, stafi i Flaka Media Group, ju uron Vitin e Ri – 2023. Gëzuar.

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 31 Dhjetor, 2022 23:57