Ekspozitë, vepra e spikatur artistike e piktorit Edmond Dhrami u prezantua në Gostivar

Driton Zenku
By Driton Zenku 9 Tetor, 2022 20:26

Ekspozitë, vepra e spikatur artistike e piktorit Edmond Dhrami u prezantua në Gostivar

Piktori i mirënjohur shqiptar Edmond Dhrami, në Galerinë e Qendrës për Kulturë në Gostivar, çeli ekspozitën personale. Në prani të dashamirëve të artit të ardhur nga Gostivari dhe qytetet e tjera, ceremonia e hapjes kaloi në frymë impozante.

“Falenderoj nga zemra te gjithe pjesëmarrësit në inaugurimin e ekspozitës time në qytetin e Gostivarit”, ishin fjalët e piktorit.

Pikturon prej 46 vitesh. Artisti nga Fieri Edmond Dhrami, u largua nga Shqipëria në vitin 1994. Kishte mbaruar liceun artistik, mbajtur dy ekspozita në Muzeun Kombëtar e ëndërronte të gjente veten edhe jashtë Shqipërisë.

Piktori Edmond Dhrami prej 28 vjetësh jeton në Itali, aktualisht në afërsi të Romës, ku punon dhe ndjek aktivitetin e tij artistik.  Ka studiuar fillimisht ne Liceun Artistik të Tiranës, dhe me mbas është diplomuar ne Akademinë e Arteve të Bukura në Romë.

Ka marrë pjesë në shumë ekspozita personale e kolektive në Itali, Angli, Francë, Belgjikë, Austri e Spanjë. Është vlerësuar disa herë për stilin e tij origjinal dhe autentik. Kërkimi në pikturën e tij, konsiston në ngjyrën në lidhje me materien, dhe përfshihet ndërmjet formalizmit dhe konceptuales. Për pikturën e tij ka shkruar, një nga historianet dhe kritiket më të rëndësishëm në Itali Giovanna Dalla Chiesa.

Dhrami si artist është i njohur në Itali dhe jashtë saj, edhe si portretist, dhe ku mbi këtë gjini, ka një interes të madh nga galeritë dhe koleksionistët privatë në Europë.

Pak muaj më parë gjatë një Audience  të veçantë  në Vatikan, Romë Dhrami realizoi ëndrrën e tij duke i falur portretin e realizuar nga vetë ai Papës. Gostivari Sot

Driton Zenku
By Driton Zenku 9 Tetor, 2022 20:26