Ekonomitë e Ballkanit po vuajnë ndikimet e luftës në Ukrainë

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 24 Tetor, 2022 19:30

Ekonomitë e Ballkanit po vuajnë ndikimet e luftës në Ukrainë

Një raport periodik i Bankës Botërore, i publikuar sot, vë në dukje se ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor vijojnë të ndikohen nga lufta në Ukrainë, rritja e mprehtë e çmimeve të energjisë dhe ngadalësimi i rritjes globale.

“Ndërsa rritja në gjysmën e parë të vitit 2022 rezultoi relativisht e fuqishme, është e qartë se rajoni tani po shkon drejt një stuhie tjetër,” deklaroi gjatë prezantimit të raportit në Vjenë, të Austrisë, Sanja Madzarevic-Sujster, ekonomiste e lartë e Bankës Botërore dhe autore kryesore e raportit. “Një kombinim goditjesh po rëndojnë shumë në perspektivën e rajonit. Kushtet më të shtrënguara të financimit global, një ngadalësim i kërkesës së brendshme dhe të jashtme, si dhe dobësimi i besimit të biznesit dhe konsumatorit sigurisht që do të ndikojnë në sektorin financiar të rajonit”, u shpreh ajo.

Përveç shtrëngimit të kushteve të financimit, raporti thekson se rreziqet e një shpërthimi dimëror të COVID-19 mbeten dhe zinxhirët globalë të furnizimit vazhdojnë të jenë nën trysni. “Në afat të shkurtër, qeveritë duhet t’i japin përparësi mbështetjes së politikave për shtresat vulnerabël, duke siguruar që masat të jenë të synuara dhe të kufizuara kohore për të minimizuar rreziqet fiskale”, nënvizon raporti.

Shqipëria

Për Shqipërinë Banka Botërore pret që rritja ekonomike të ngadalësohet në 3.2 përqind, më poshtë se parashikimet për një rritje prej 3.7 përqind, të qeverisë shqiptare, por dhe Fondit Monetar ndërkombëtar. Për dy vitet e ardhshme, aktiviteti ekonomik pritet të zbresë më tej, respektivisht në 2.3 përqind në 2023-shin dhe 2.5 përqind në vitin 2024, niveli më i ulët në rajon. Për vitin e ardhshëm qeveria shqiptare parashikon një rritje në nivelin e 2.6 përqind, ndërsa FMN-ja afro 2 përqind.

Në raportin e saj, Banka Botërore vë në dukje se inflacioni i lartë, i përkthyer veçanërisht në rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe kostove të transportit, do të ndikojë negativisht te qytetarët më të varfër, duke frenuar përparimin në uljen e varfërisë. Sipas Bankës Botërore në muajin korrik inflacioni i çmimeve të ushqimit dhe të transportit u rrit përkatësisht në 13.2 dhe 19.7 përqind.

“Inflacioni ushqimeve dhe energjisë janë faktorë që mund të çojnë drejt varfërisë një numër relativisht të madh të njerëzve duke qënë se këto elemente kanë një peshë të rëndësishme në shportën e mallrave të konsumit, për këto grupe vulnerabël”, vuri në dukje gjatë prezantimit të raportit për Shqipërinë, Ilda Shllaku, ekonomiste e lartë e Bankës. Sipas saj, skema e ndihmës sociale, dhe instrumentat që duhen përdorur nga qeveria, duhet t’i përshtaten në kohë situatës.

Sa i përket projektit të qeverisë shqiptare për aministinë fiskale, menaxheri i Bankës Botërore për Shqipërinë Emanuel Salinas, shpjegoi se Banka Botërore ka qenë pjesë e konsultimeve të ndërmarra nga autoritetet. “Ne e kuptojmë se në këto momente qeveria po përpiqet të rrisë të ardhurat, dhe kjo perceptohet si një mundësi. Fryma e këtij projeligji ka një sërë rreziqesh dhe ne ia kemi komunikuar qeverisë. Kështu që çdo vendim që do të marrin, duhet të jetë një vendim mbi të gjithë informacionin e duhur, me shpresën që të minimizojë këto rreziqe gjatë përpjekjes për të marrë maksimumin nga ky vendim”, u shpreh ai.

Kundër aministrisë fiskale është rreshtuar haptazi dhe Bashkimi europian por dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilit Shqipëria nuk i ka kushtet për realizimin e një amnistie në formën e propozuar.

Kosova

Rritja ekonomike u ngadalësua në fillim të vitit 2022 dhe veprimtaritë ekonomike në Kosovë, u ndikuan nga rritja globale e çmimeve, thuhet në raportin e Bankës Botërore, sipas së cilës, rritja vjetore ekonomike e Kosovës do të tkurret në 3.1 për qind.

Gjatë muajve të parë të vitit 2022 rritja ekonomike e humbi vrullin për shkak të inflacionit dhe krizës në sektorin energjetik. Si importuese e ushqimeve dhe energjisë, Kosova është veçanërisht e cënueshme nga inflacioni i importuar i cili në muajin gusht arriti në 13 për qind nga 7.1 për qind sa ishte në muajin janar.

Tregu i punës, sipas raportit, vazhdon të pasqyrojë dobësi kronike dhe karakterizohet nga çekuilibri i dukshëm gjinor si dhe me mospërputhje të shkathtësive dhe emigrim të fuqisë punëtore.

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 24 Tetor, 2022 19:30

11:34:32 am
Dje (23 nëntor) rreth orës 20:00 në rrugën “Dushko Popoviq”...
11:33:03 am
Mbrëmë (23 nëntor) rreth orës 19:10, në rrugën e “Ilindenit”...
11:32:03 am
Pjestarët e policisë të SPB Tetovë mbrëmë (24 nëntor) dhjetë...