Dritan Imeri, kryetar i ri i Lëvizjes Besa në Gostivar
Sonte në qytetin e Gostivarit u mbajt kuvendi i degës së Lëvizjes BESA, ku edhe u bë ristrukturimi i degës. Në prezencë të kryetarit Bilall Kasami, deputetit Fadil Zendeli, Sekretarit Organizativ Adnan Azizit, Sekretarit të Depratamenteve, Arafat Shabani si dhe këshilltarit komunal Dashmir Arifi, drejtimin e Degës së Gostivarit ia besuan, profesorit të historisë, Dritan Imeri.
Në fjalën e rastit para kuvendarëve Kryetari Bilall Kasami deklaroi:
“E them me përgjegjësi të plotë se gjithmonë degës së Lëvizjes BESA në Gostivar, i bie në hise të artikuloj zërin opozitar dhe çdoherë të përballet me sfida të lloj-llojshme që janë në interes të shqiptarëve dhe më gjërë”.

Në këtë kuvend të degës u diskutua edhe për aktualitetin politik në vend, procesin integrues, ndryshimet Kushtetuese si dhe rolin konstruktiv të Lëvizjes BESA përballë anëtarsimit të vendit në BE. Lëvizja BESA do të vazhdoj fuqishëm në themelimin e degëve dhe nëndegëve në të gjitha vendet ku ka shqiptar.