Do të rikthehen parkingjet me pagesë në pjesët zonale në Gostivar

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 15 Qershor, 2023 11:31

Do të rikthehen parkingjet me pagesë në pjesët zonale në Gostivar

Pas më shumë  se gjashtë  muaj, në  qytetin e Gostivarit do të rikthehen parkingjet me pagesë në zonën qendrore të  qytetit ku janë definuar si pjesë  zonale të  parkingjeve me pagesë, njofton Flaka

Sot, punonjësit e Ndërmarrjes Publike Parkingje dhe Gjelbërim në qytetin e Gostivarit përmes broshurave kanë  njoftuar drejtuesit e automjeteve të  parkuara në hapësirat e parkingut zonal që parkingjet do të  jenë me pagesë.  

“Kujdes. Vërejtje e fundit. Automjeti juaj gjendet në hapësirën e parkimit zonal me pagesë. Në rast se hasim në situatë të njejtë pas kësaj vërejtje, ndaj jush do të merren masa ndëshkuese, respektivisht gjoba”, qëndron në njoftimin ndaj drejtuesve të automjeteve.

Qyteti i Gostivarit është i ndarë në dy zona për parkim, në atë “të kuqe” dhe “të gjelbër”. Për zonën “e kuqe”, konkretisht për pjesën qendrore të qytetit, për një orë parkim çmimi është 25 denarë, kurse për zonën “e gjelbër”-zona periferike e qytetit, parkimi për një orë kushton 10 denarë.

Parkimi do të paguhet prej të hënën deri të shtunën edhe atë e hënë – e premte prej orës 7 deri orën 21, ndërsa të shtunën prej orës 7 deri në ora 14. Të dielave dhe në ditët e festave shtetërore parkimi nuk do të paguhet.

Ndryshe, për transportuesit publik parkimi zonal nuk vlen. Për taksitë dhe furgonët mbetet procedura e deritanishme që paguhet që me marrjen e licencës për të ushtruar bartje publike dhe ata nuk do të paguajnë parkim. Flaka

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 15 Qershor, 2023 11:31