Dita ndërkombëtare e librit, 50% zbritje për regjistrim në Bibliotekën e Gostivarit!

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 23 Prill, 2023 17:30

Dita ndërkombëtare e librit, 50% zbritje për regjistrim në Bibliotekën e Gostivarit!

Të hënën me 24.04.2023, në vigjiljet të 23 Prillit ditës ndërkombëtare të librit dhe drejtave të autorit Qendra për Kulturë në Gostivar do të mundëson 50% zbritje për regjistrim çdo anëtari të ri ne bibliotekën që funksionon në suaza të qendrës.

Nga Qendra për Kulturë në Gostivar njoftuan që me këtë rast, për çdo anëtar të ri të Bibliotekës do të pasojë një libër dhuratë.

Kujtojmë që ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil. 23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor etj.

Më 23 prill të vitit 1616 u nda nga kjo botë Servantesi, Shekspiri dhe Garcilaso de la Vega, i mbiquajtur Inca. 23 prilli shënon edhe lindjen ose vdekjen e shkrimtarëve të tjerë, si Maurice Druon, K.Laxness, Vladimir Nabokov, Joseph Pla dhe Manuel Mejia Vallejo.

Kjo është arsyeja, për të cilën kjo datë domethënëse për letërsinë universale është caktuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s për t’i bërë homazh botëror librit dhe autorëve të tij dhe për të inkurajuar të rinjtë, që të zbulojnë kënaqësinë e të lexuarit, si edhe për të respektuar kontributin e pazëvendësueshëm, që kanë dhënë krijuesit për progresin social dhe atë kulturor.

Pavarësisht se letërsia nuk ka funksion praktik në jetën e njeriut, ajo vlerësohet si ndërgjegjja më e emancipuar e njerëzimit, ndaj të shkruarit me përgjegjësi të lartë artistike apo etike dhe intelektuale, mbetet një kërkesë e përhershme e shoqërisë. Në vorbullën e të shkruarit dhe të lexuarit dallohen lexuesi i specializuar dhe ai i kënaqësisë. Ky i dyti është më i popullarizuari.

Është lexuesi që zgjedh të lexojë një vepër për të marrë kënaqësi estetike, për të marrë informacione dhe dije. E nëse do të flisnim për përfitimet e të lexuarit mund të rendisnim konkretisht disa: mund të parandalojë sëmundjen e Alzheimerit, është një faktor antistres, mund t’ju ndihmojë për t’u fokusuar më mirë, është faktor ndihmës i jetëgjatësisë. Gostivari Sot

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 23 Prill, 2023 17:30