Dhuna në shkolla, edhe RMV merr masa parandaluese!
MASH sot ka hapur adresë për paraqitjen e dhunës në shkolla, prijavinasilstvo@mon.gov.mk, gjegjësisht paraqitdhune@mon.gov.mk, si vend qëndror ku mund të paraqitet dhuna në shkolla, me qëllim që institucionet menjëherë të reagojnë dhe të parandalojnë situatat serioze.
Me iniciativën time, sot filluan konsultimet për krijimin e masave dhe plotësimin e mekanizmave ekzistuese për detektimin dhe parandalimin e dhunës së bashkëmoshatarëve, ndryshimin e qasjes për punën me fëmijët me sjelljet asociale, për punën me familjet e tyre etj.”, njoftoi ministri i arsimit, Jeton Shaqiri.
Diskutuam me disa profesorë akademikë dhe ekspertë nga fusha e pedagogjisë, psikologjisë, sociologjisë, shkencave të sigurisë, me qëllim për të diskutuar se çfarë është ajo që mund të integrojmë në sistemin tonë arsimor, tha ai.
Procesi i krijimit të masave për përforcimin e sistemit edukativo-arsimor për përballimin e dhunës do të jetë gjithëpërfshirës dhe do të përfshijë më shumë institucione dhe individë.
“Në kuadër të mekanizmave ekzistues për ballafaqimin e dhunës së bashkëmoshatarëve dhe sjelljeve devijuese të fëmijëve dhe të rinjve, funksionojnë shërbimet profesionale në shkolla, Shërbimi Pedagogjik dhe Inspektorati i Arsimit, ndërsa Ministria e Arsimit ka bashkëpunim konstruktiv me shërbimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, shtoi Shaqiri.
Sipas tij, për përfshirjen e të gjitha Ministrive përkatëse, do të pasojnë takime me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe Ministrinë e Shëndetësisë.