Detaje për rasti tragjik në Shipkovicë

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 15 Korrik, 2023 12:01

Detaje për rasti tragjik në Shipkovicë

Dy punëtorë humbën jetën gjatë ndërtimit të murit publik

Po punonin në ndërtimin e murit pranë lumit që kalon mes fshatit Shipkovicë, por nuk ia dolën pasi një pjesë e murit u shemb.

50 vjeçari J.C nga Shqipëria dhe 63 vjeçari A.A nga fshati Sellcë i Tetovës, sic percjell KlanM, pas lëndimeve të rënda trupore vdiqën në vend të ngjarjes.

“Këtu është duke u ndërtuar muri mbrojtës i lumit që kalon mes fshatit Shipkovicë, një pjesë e murit është shkepur dhe ka zënë dy punëtorët që kanë qenë të angazhuar në atë pjesë”, tha zjarrfikësi, Avni Ameti.

Policia, prokurorë e zjarrfikës dhe mjekët e urgjencës ishin në terren. Disa orë ka zgjatur nxjera e personave nga gërmadhat.

“Në ora 15:45 në SPB-Tetovë është raportuar se dy persona gjatë kryerjes së punëve ndërtimore në fshatin Shipkovicë të Tetovës, A.A.(63) nga Selca e Tetovës dhe J.C.(50) nga Republika e Shqipërisë, kanë marrë lëndime të rënda trupore nga të cilat kanë ndërruar jetë. Mjekët e Urgjencës kanë konstatuar vdekjen e tyre”, thonë nga SPB Tetovë.

Prokuroria Publike, pas kryerjes së ekspertizës në vendngjarje,
, ka urdhëruar që të sigurohet i gjithë dokumentacioni nga personi juridik poashtu ka kërkuar edhe dokumentacionin nga komuna e Tetovës për ndërtimin e murit.

“Prokurori publik ka urdhëruar që të sigurohet i gjithë dokumentacioni nga personi juridik që ka angazhuar punëtorët, si dhe dokumentacioni nga komuna lidhur me ndërtimin e murit. Në vendngjarje ka shkuar edhe Inspektorati Shtetëror i Punës, i cili do të përgatisë një raport, për të përcaktuar arsyet si ka ardhur deri te ngjarja, poashtu do të merren në pyetje më shumë persona”, thonë nga PTHP.

Kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami ka shprehur keqardhje për ngjarjen e rëndë duke shprehur ngushëllime familijarëve.

“Jemi thellësisht të tronditur nga ngjarja tragjike në fshatin Shipkovicë, ku si pasojë e shembjes së murit humbën jetën dy punëtorë, të cilët punonin në riparimin e murit. Ngjarja e dhimbshme na ka prekur të gjithëve, na ka lënë pa fjalë”, ka shkruar Kasami në profilin e tij në facebook.

Punëtorët e angazhuar kanë punuar në ndërtimin e murit mbrojtës për lumin që kalon në mes të fshatit Shipkovicë në periudhën kur sipas vendimit të autoriteteve, nuk është rekomanduar të punohet për shkak motit të nxehtë.

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 15 Korrik, 2023 12:01