Dasëm me pehlivana në Forinë të Gostivarit

Driton Zenku
By Driton Zenku 30 Korrik, 2023 20:40 Updated

Dasëm me pehlivana në Forinë të Gostivarit

Pas një periudhe të gjatë, në rajonin e Gostivarit rikthehen dasmat me pehlivana, një traditë e bukur e popullatës shqiptare, njofton Gostivari Sot.

Ishte familja Ismaili nga ky fshat që me rastin e svnetimit të djalit të tyre mblodhën në një vend kampionët e mundjes nga vise të ndryshme të Ballkanit dhe më gjerë.

Më herët, në vitin 201 ka pasur një dasëm me pehlivana në fshatin Çegran.

Kujtojmë që fjala pehlivan rrjedh nga fjala perse “pehlevān”, që do të thotë “hero”,  “kampion”, “fitues”. Për dallim nga mundja olimpike, te sporti i pehlivanëve (ose “mundja me vaj”), luan rol mbajtja për kismete apo kisbete. 

Pehlivanët janë konsideruar si njerëz shembullorë në shoqëri dhe si respektues të traditës. Ata kanë gëzuar respektin e komunitetit.  Betejat me vaj (turqisht: yağlı güreş), janë beteja sportive të përfshira në listën e UNESCO -s dhe mbrohen si pasuri kulturore.

Para fillimit të duelit, pehlivanët lyhen me vaj dhe janë të obliguar që të mbajnë kismetet, njëfarë pantallonash prej lëkure që mund të peshojnë prej 8 deri në 12 kilogramë. Garat e pehlivanëve janë shumë të popullarizuara në Kosovë e Maqedoni dhe lidhen me depërtimin e turqve në Ballkan.  

Pehlivanët dikur ishin pjesë e oborreve të agallarëve dhe bejlerëve. Në fillim shumica ishin osmanë, por më vonë pehlivanllëku, u shtri edhe më gjerë. 

Garat organizohen zakonisht nëpër dasma apo syneti. Zakonisht garojnë disa çifte garuesish të shoqëruar nga zurlet dhe tupanat. 

Pehlivanëve u duhet pak kohë që t’i veshin kisbetet apo kismetet me ngjyrë kafeje të mbyllët. Pehlivanët ndihmojnë njëri-tjetrin për t’i veshur ato direkt në trup dhe janë nga lëkura e kafshëve. Ato në bel e në gjunjë shtrëngohen me litarë. 

Betejat e pehlivanëve ngjajnë shumë me mundjen e tanishme të stilit të lirë. Përdoren disa teknika, sikurse janë: kurtpanxh, bondruk, çerek, sarma etj.

Garat kanë zgjatur gjatë dhe ka ndodhur të ndërpriteshin për shkak të territ për të vazhduar ditën tjetër. 

Nëse dueli zgjat shumë ndodh që pehlivanët, me ngritjen e dorës, të kërkojnë përfundimin e garës, që shpallet e barabartë nga referët. 

Për çdo duel caktohen referët, zakonisht ata janë pehlivanë të dikurshëm. Vendimet e tyre nuk mund të kontestohen.

Pehlivanët janë të ndarë në katër grupe sipas aftësive: bashpehlivanët, më të mirët. Bash – altët, që kanë humbur vetëm nga pehlivanët e kategorive më të larta. Bujukorta, që kanë humbur nga bashët dhe altët. Kiçikorta, që janë pehlivanë fillestarë. 

Zakonisht pehlivanët janë ushtruar nga i ati apo ndonjë i afërm që ka qenë pehlivan ose nga ndonjë pehlivan i njohur. 

Prindërit u kanë siguruar jetë dhe ushqim të mirë e nëse nuk kanë pasur mundësi atëherë atyre u kanë ndihmuar edhe fshatarët. 

Pehlivanët janë kursyer nga punët e rënda dhe shpesh janë stërvitur në mal për të qenë më të qetë. 

Rregullat e këtij sporti tradicional ngjajnë me ato të mundjes së stilit të lirë. Kemi gjashtë kategori:  e rëndë, gjysmë e rëndë, e mesme, gjysmë e mesme, e lehtë dhe gjysmë e lehtë. 

Emërtimet turke për kategoritë janë: bash, bashalt, orta, bujukorta, jenlik, bujukjenlik. 

Kategorizimi bëhet sipas peshës dhe aftësisë së pehlivanit. 

Gara zgjat derisa shpallet fituesi ose nëse referët e shpallin garën të barabartë. Fitorja arrihet kur kundërshtari bie në shpinë.

Në disa gara zbatohen edhe rregulla të reja duke e kufizuar garën në 40 minuta për bashpehlivanët dhe 30 minuta për pehlivanët. 

Nëse nuk ka fitues atëherë gara vazhdon për 15 minuta për bashët dhe 10 minuta për pehlivanët. Më pas fituesi shpallet me pikë. 

Në duele ndalohet çdo lloj ashpërsie apo goditje në pjesët e ndjeshme. Referët i tërheqin vërejtjen pehlivanit të padisiplinuar ose mund ta përjashtojnë.  

Pehlivanët ndeshen në ndonjë livadh të butë, në shoqërinë e zurleve dhe tupanave, kurse publiku i përkrah të adhuruarit e tij. 

Fituesi e kryen një ritual përshëndetës me një kapuç në dorë ku publiku hedh para.  

Pehlivanët thonë se kjo lloj mundje është më e vështirë se sa mundja olimpike.

Në mundjen popullore patjetër njëri pehlivanë duhet të bjerë në shpinë, kurse në mundjen zyrtare mund të fitohet me pikë. Si vështirësi është edhe trupi i vajosur.

Në traditën shqiptare roli i pehlivanëve ka qenë shumë i rëndësishëm jo vetëm si sport

Dikur vriteshin krushqit pas zënkës se kush do të kishte përparësi kalimi. 

Më pas në ballë të krushqve viheshin  pehlivanët. Krushqit që i udhëhiqte pehlivani fitues kishin përparësi kalimi. 

Loja e pehlivanëve po studiohet edhe nga etnologët. Sipas tyre e veçanta e këtij sporti është se kemi gërshetimin e traditës, sportit dhe muzikës.

Ekziston mendimi i përgjithshëm se ky sport ka arritur në Ballkan pas depërtimit osman, por disa etnologë thonë se rrënjët duhen kërkuar që në antikë, kur sporti i mundjes ishte shumë i popullarizuar. Gostivari Sot

Driton Zenku
By Driton Zenku 30 Korrik, 2023 20:40 Updated