Çmimet e larta do të godasin traditën e përgatitjes së ushqimeve dimërore

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 15 Shtator, 2022 08:30

Çmimet e larta do të godasin traditën e përgatitjes së ushqimeve dimërore

Këtë vjeshtë qytetarët do të kursejnë edhe për ushqimet tradicionale të dimrit, turshi dhe ajvar. Thonë se për shkak të kostove të shtuara, përgatitja e këtyre ushqimeve tashmë për dikë është bërë luks. Por edhe për shkak të shtrenjtimeve, gostivarasit duket se nuk do të heqin dorë nga tradita, ndoshta do të ulin vetëm sasitë. Kjo konfirmohet nga vetë ata, numri i të cilëve ishte tejet i madh në tregun e qytetit. Ata qytetarë që i intervistoi televizioni Globi, theksojnë se krizë si këtë vit nuk mbajnë mend në jetën e tyre.

“Për ne që jemi pensionistë çmimet janë të shtrenjta, ata që kanë ndoshta nuk ju duket shtrenjtë. E kur nuk ka do konsumojmë më pak, aq sa ka. Nuk mbajë mend kështu krizë, 80 vite kam por kështu nuk ka qenë asnjëherë as në sistemet e mëparshme”, deklaron një pensionist.

Një mërgimtar i cili aktualisht ishte në pension, thotë se në Austri ku ka punuar gati standardi është i barabarët me Maqedoninë.

“Sikurse standardi që është, çmimet janë të shtrenjta. Një kilogram specia janë 60-70 denarë, kurse atje është 1,40 euro një kilogram, gati standardi i njejti. Kjo është shtrenjtë pasi dikush nuk ka. Unë për vete nuk jetojë gjatë këtu, jam tre-katër muaj dhe iki në Austri”, deklaron ky pensionist.

Prodhuesit konfirmojnë se ka rënie të çmimeve nga java e kaluar, sidomos te speci i kuq i cili gjatë kësaj periudhe është më i kërkuar. Resul Shabani, prodhues nga Banjica thotë se këtë vit interesi për të dukshëm është më i dobët, dhe kërkesa pothuajse është përgjysmuar në krahasim me vitet e kaluara.

“Pak më lirë është, por nuk ka shumë interesim, populli ikën për shkak të çmimeve të shtrenjta. Speci është 40 denarë, çmim i shtrenjtë. Sivjet është më shtrenjtë pasi u shtrenjtuan materialet për bujqësi, prandaj është shtrenjtë. Pastaj nuk është vetëm speci, për ta përgatitur duhet edhe vaj dhe sende të tjera të cilat poashtu janë shtrenjtuar shumë. Vitin e kaluar thuheshte se është krizë, por sivjet është më e madhe kriza, ka më pak mall, nuk ka blerës, çmimet janë rritur”, deklaron Resul Shabani, prodhuesi nga Banjica.

Shefket Nexhipi, prodhues nga Haraçina e Shkupit thekson se ulja e çmimeve brenda një jave duhet të ketë ardhur si pasojë e rritjes së prodhimit vendor dhe shtimit të sasisë dhe shitësve në treg.

“Sot çmimet nuk janë shumë të shtrenjta, ka filluar të bien për specin e kuq nga 35-40 denarë është kilogrami dhe kemi nga pak shitje. Ndoshta ka më shumë mall se java tjetër dhe prandaj çmimi është më i lirë dhe duket se sot ka më shumë punë, qytetarët blejnë”, thotë Shefket Nexhipi, prodhues nga Haraçina e Shkupit.

Speci i kuq për ajvar për momentin, varësisht nga cilësia e tij, shitet 35 deri në 60 denarë për kilogram. Ndryshe, goditjet e çmimeve po thyejnë rekorde në vendin tonë dhe qeset mbushen gjithnjë e më pak, apo thënë aq sa mund të mbulohet nga pagat dhe pensionet tona. Përmes shifrave vitet e fundit, edhe shporta e konsumit tregon se jeta po shtrenjtohet dhe standardi i qytetarëve po bie. Sipas përllogaritjeve të Sindikatës së Maqedonisë, nëse në gusht të vitit 2018 një familjeje i nevojiteshin 32.464 denarë, për të njëjtin muaj të këtij viti i nevojiteshin 48.234 denarë plus 100 euro për fillimin e vitit shkollor për përgatitjen e vetëm një nxënësi. Edhe të dhënat e fundit të ESHS-së tregojnë se inflacioni rritet, me çka kostoja e jetesës është rritur me gati 17 për qind. Në gusht të këtij viti, krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, qytetarët kanë paguar ushqimet me gati 26 për qind më shtrenjtë, buka është shtrenjtuar me 44,1 për qind, mishi me 23,3 për qind, qumështi, djathi dhe vezët janë shtrenjtuar me 27 për qind, vaji me 46.7 për qind. Energjia elektrike u shtrenjtua me 20,2 për qind. E ndërkohë që vendet evropiane tashmë kanë bërë llogaritë për të ndihmuar qytetarët e tyre, qeveria te ne ende po “planifikon” masat për qytetarët për tejkalimin e krizës energjetike dhe ekonomike.

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 15 Shtator, 2022 08:30

11:34:32 am
Dje (23 nëntor) rreth orës 20:00 në rrugën “Dushko Popoviq”...
11:33:03 am
Mbrëmë (23 nëntor) rreth orës 19:10, në rrugën e “Ilindenit”...
11:32:03 am
Pjestarët e policisë të SPB Tetovë mbrëmë (24 nëntor) dhjetë...