Blerjet online zëvendësojnë shitjet tradiconale

Shitja online vazhdon të jetë në rritje. Por shitësit me pakicë që zotërojnë dyqane dhe paguajnë qira, tatime dhe faturat e shërbimeve ankohen për konkurrencë të padrejtë që ofron shitja online me çmime nganjëherë edhe më të larta sesa nëpër shitoret tradicionale. Ata thonë se shpesh faqet e internetit nuk i plotësojnë kushtet për shitje, kompania nuk është e deklaruar qartë, as selia e saj. Kërkojnë shteti ta rregullojë me ligj këtë veprimtari, e cila sipas tyre, aspak te ne nuk kontrollohet.
Blerja online është e rrezikshme sepse nuk e shihni produktin para jush dhe nuk mund ta provoni. Kështu thonë një pjesë e qytetarëve të Gostivarit të anketuar nga Tv Globi. Shtojnë se nga përvoja, besueshmëria mbetet e ulët, pasi shpesh ndodh që të porosisni një gjë dhe të merrni një gjë krejt tjetër.
Ka edhe nga ata qytetarë që i besojnë bleres online dhe kanë mbetur të kënaqur nga shërbimi dhe produkti që kanë marrë.
Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, rreth 25% e qytetarëve në RMV kanë blerë diçka në internet të paktën një herë. Më shpesh blihen veshje dhe pajisje të tjera sportive dhe orendi shtëpiake.