BDI nisi përgatitjet për zgjedhjet lokale

Kryetarët e degëve të Bashkimit Demokratik për Integrim janë thirrur sot nga lideri i tyre Ali Ahmeti, në Reçicë të Tetovës, për të diskutuar për përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor.
“Pika e dytë është, tani ju e dini që në tetor do të mbahen zgjedhjet lokale kështu që nga këtu fillon diskutimi për ecurinë e zgjedhjeve, për përgatitjen e zgjedhjeve lokale për zhvillimet e brendshme në BDI sa i takon këtyre zgjedhjeve. Do të thotë se sot është fillimi i përgatitjes për 3 tetorin e këtij viti për zgjedhjet lokale”, tha Ahmeti.
Ditë më parë, Ahmeti para mediave, tha se ende nuk është vendosur se cilit prej kryetarëve të komunave të udhëhequra nga BDI, do t’i kërkohet që të rikandidohen edhe për një mandat. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti pas mbledhjes me kryetarët e degëve në Reçicë të Vogël, ka folur në lidhje me regjistrimin e popullsisë, i cili theksoi se regjistrimi nuk është veprim që duhet t’i ndajë njerëzit në shumicë ose pakicë, apo ti ndajë në maqedonas ose shqiptarë dhe të tjerë.
“Çështja e parë është çështja e regjistrimit të popullsisë. E shihni që është politizuar dhe është ekzagjeruar, që të marrim informacione e duhura për të shpjeguar në terren ecurinë e kësaj ndërmarrje të përbashkët, që është një detyrim dhe obligim edhe nga Eurostat po edhe nga Bashkimi Evropian. Nuk është veprim që të ndajë njerëzit në shumicë ose pakicë, apo ti ndajë në maqedonas ose shqiptarë dhe të tjerë”, deklaroi Ahmeti.
Regjistrimi i popullsisë do të zhvillohet nga 1 prilli deri më 21 prill të këtij viti.