Autori strugan Xhemi Hajredini, promovoi librat e tij përpara publikut gostivaras!

Driton Zenku
By Driton Zenku 26 Nëntor, 2023 09:34

Autori strugan Xhemi Hajredini, promovoi librat e tij përpara publikut gostivaras!

E bukura i bashkon njerëzit. Këtë të shtunën në mbrëmje në Gostivar e bëri autori strugan Xhemi Hajredini, i cili promovoi tre librat e tij: -Roli i mediave në diplomaci – libër studimor, -Vit i brishti – vëllim poetik dhe -Fre gjuhës kur fle koka – jo vetëm poezi, njofton Flaka Media.

” Kënaqësi që isha njëri nga folësit dhe faleminderit autorit dhe pronarit të restorantit Lulzim Fejzullai që në vigjilje të festave të Nëntorit, sollën diçka të mirë dhe ndryshe në Gostivar. Kjo natë me bardhësi që na solli edhe bora, më bëri edhe një herë të ndjehem krenar dhe të vazhdojë ta dua punën time si gazetar”, tha në mesin e të pranishmëve gazetari i FLAKA-s, Abedin Bilalli.

Libri “Roli i mediave në diplomaci”, i shkruar nga studiuesi Xhemi Hajredini, është një vepër me vlera të theksuara shkencore dhe me një dobi të madhe shoqërore për të gjithë lexuesit në përgjithësi dhe, për studentët, gazetarët, diplomatët, historianët, politikanët dhe intelektualët në veçanti.

Vit i brishti – vëllimi poetik i dedikohet vitit me 366 ditë. Sipas autorit, ky ishte një “vit i brishtë” sepse ka 366 ditë, muaji shkurt ka 29 ditë.

“Sipas besëkotësive gjatë vitit të brishtë nuk u bëkan dasma e nuk u ndërtuakan shtëpi të reja. Është një vit i gëzuar vetëm për ata që kanë lindur më 29 shkurt. Për këtë vit ndoshta e kanë qëlluar se disa shenja jo të mira na parathonë që ky do të jetë vërtet një vit i brishtë. Le të jemi të vëmendshëm”, mëton autori.

Recenste Alma Pire, redaktore dhe korrektore e librit “Fre gjuhës kur fle koka – jo vetëm poezi”, shprehet që duket sikur Xhemi Hajredini këtë thënie ka pasur parasysh, para se të botojë librin e tij të radhës.

“Ai, si një luftëtar i kohëve moderne, ka si armë të fortë penën, atë me të cilën çjerr hipokritët, të pabesët, lakmitarët, zullumtarët dhe të gjithë ata që ndeshim në përditshmërinë tonë e që në një mënyrë a në një tjetër, bëhen pengesë për këdo që ecën nga e drejta. Poezitë e Xhemi Hajredinit vijnë rrjedhshëm, me një gjuhë të pastër e të thjeshtë, pa e hiperbolizuar situatën, por të thënë ashtu thjesht troç, si një grusht i fortë për ata që kërkojnë ta përdhosin këtë vend, këtë gjuhë, këtë kohë”, konstaton Pire.

Ky promovim që u zhvillua në ambientet e restorantit Bagërdar Tradicional, ngërthente në vete diçka më ndryshe se promovimet e tjera, kishte të bënte më shumë me diskutime rreth medias, diplomacisë, poezisë dhe shqiptarëve në përgjithësi, e për këtë interaktiviteti i publikut ishte aty prezent.

Hajredini aktualisht është udhëheqës i Sektorit për Veprimtari Publikenë Komunën e Strugës. Më herët ka qenë profesor në Gjimnazin “Dr.Ibrahim Temo” në Strugë, sikurse Kryetar i Shoqatës për Kulturë italiane në Strugë, si dhe Kryetar i Forumit të Intelektualëve të Strugës. Flaka Media

Driton Zenku
By Driton Zenku 26 Nëntor, 2023 09:34