Arrihet marrëveshje mes LSDM-së dhe BDI-së për qeverinë e re

Gostivari Sot
Nga Gostivari Sot 18 Gusht, 2020 18:19

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev pas takimit me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, tha se është arritur marrëveshja mes LSDM-së dhe BDI-së për qeverinë e re për 4 vitet e ardhshme.

Ai theksoi se ai do të jetë kryeministër i vetëm i vendit për 4 vitet e plota të qeverisë LSDM-BDI, duke lënë të nënkuptohet se kryeministër shqiptar nuk do të ketë, shkruan Alsat. Zaev tha se marrëveshja e arritur mes dy liderëve sot do të duhet të kalojë edhe në kryesitë e partisë. Zaev theksoi se qeveria në periudhën e ardhshme do të fokusohet në sistemin shëndetësor duke i bërë ballë pandemisë COVID-19 dhe në reformat e kërkuara nga BE-ja.

“Së bashku vendosëm që lufta kundër KOVID_19 duhet të mbetet prioritet i parë kryesorë në sistemin shëndetësorë. Do të shfuqizohet qeveria e Përzhinos. Do të punohet në reformat e kërkuara nga BE”, tha Zaev.

Marrëveshje u bë e ditur nga liderët e dy partive, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti. Kreu i LSDM-së, Zaev tha se do të jetë kryeministër me mandat të plotë katërvjeçar, duke bërë kështu të ditur se ky post nuk do të ndahet në rrotacion me BDI-në, e cila këtë post e kishte moto kryesore të fushatës zgjedhore.

Dy liderët nuk prezantuan planet e tyre për ndarjen e posteve qeveritare. Por, Zaev njoftoi se kryetar i kuvendit do të vazhdojë të jetë Talat Xhaferi nga BDI-ja.

Ai tha se me BDI-në janë pajtuar që gjatë mandatit katërvjeçar bashkërisht të punojnë në ndarjen e përgjegjësive sikur dhe përbërjes së qeverisë së re.

Sa i përket postin të kryeministrit, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve se si BDI-ja do të arsyetojë heqjen dorë nga kjo kërkesë me të cilën udhëhoqi fushatën zgjedhore.

“Ky vendim që është marrë të martën, pritej nga të gjithë qytetarët e vendit dhe partnerët ndërkombëtarë për vazhdimin e proceseve integrues. Ne kemi dalë me kandidat (për kryeministër) si e drejtë e jona legjitime dhe nëse do të barrikadohemi, asnjëherë nuk do të arrijmë zgjidhje për të mirën e qytetarëve. Mendoj se qëllimi është arritur që të përçojmë mesazhin te të gjithë qytetarët”, deklaroi Ahmeti, duke shtuar se beson se ky partnerit i radhës së me LSDM-së, do të jetë më i suksesshëm deri më tani.

Gostivari Sot
Nga Gostivari Sot 18 Gusht, 2020 18:19