A ka korrupsion nëpër gjykata? Mehmedi pa përgjigje të plotë!

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 25 Tetor, 2022 11:10 Updated

Gjykata e Apelit në Gostivar ka efikasitet më të ulët se viti i kaluar edhe pse në vitin 2021 akoma punoheshte me restrikcione si pasojë e pandemisë. Kjo vjen si pasojë e mungesës së gjykatësve ku aktualisht ky institucion punon me 70 përqind të kapacitetit të saj, apo me 11 në vend të 16 gjykatësve. Ndërkohë edhe pse para shtatë muajve është hapur konkurs për pranimin e dy gjykatësve, ata asesi të pranohen.

Kryetari i gjykatës së apelit në Gostivar, Bekim Mehmedi thotë se edhe përskaj kësaj vështirësie, sivjet është rritur kualiteti i vendimeve gjyqësore për shtatë përqind. I pyetur nëse mosefikasiteti si pasojë e mungesës së personelit ku poashtu ka mungesë dhe vetë gjykatësve ulë besueshmërinë e gjykatave, ai tha se një nga parametrat është edhe mungesa e stafit.

“Njëri nga problemet që shfaqet mu edhe te besueshmëria është edhe paplotshmëria e vendeve të gjykatësve që të mund gjyakat të funksionojë me kapacitete të plota dhe kur nuk ke një efikasitet të mirë në lidhje me vendimet, reflektohet në aspekt negativ te opinion i përgjithshëm. Vetë drejtësia e vonuar është një fare forme e pa drejtë”, deklaron Bekim Mehmedi, kryetar i Gjykatës së Apelit në Gostivar.

Mehmedi shmnaget të thotë drejtpërdrejtë nëse ka korrupsion në gjykata, por shton se me ngritjen e cilësisë dhe kapaciteteve në gjyqësor, korrupsioni do të goditet.

“Tani unë për vete do të përmbahem në deklarimin e drjetpërdrejtë se ka ose s’ka, ky është një opinion në përgjithësi që krijohet jashtë gjykatave dhe mund të them se në mënyrë më parimore për ta përmirësuar situatën na mbetet obligim ta përmirësojmë atë me punë të mëdha, të palodhshme. Korrupsioni është fenomen shoqëror në të gjitha shtetet dhe nuk mund të them se nuk ekziston, thjeshtë kjo është një gjendje në të cilën unë them se jemi shtet i cili ende ndodhet në fazën tranzitore dhe ku gjithmonë ekziston një formë dinamike, projeksioni për ta ndryshuar, aplikuar ligje sa më moderne, për të kapur trendet evropiane. Me ngritjen e cilësisë dhe kapaciteteve, aty do të ndodhë edhe goditja ndaj korrupsionit”, deklaron Bekim Mehmedi, kryetar i Gjykatës së Apelit në Gostivar.

Rreth 80 për qind e vendimeve që sjellë Gjykata e Apelit, përfundojnë aty dhe nuk shkohet një shkallë më lartë. Kjo vjen si pasojë e vendimeve cilësore të sjellura, thotë Mehmedi.

“Në bazë të kompetencave e keni parasyshë se është gjykatë e cila merret me apelimin e vendimeve të shkallës së parë, d.m.th funksioni i saj është me ankesa dhe resoret janë të qarta penale dhe civile. Sipas një statistike rreth 80 për qind e lëndëve që vendosen me ankesë, përfundojnë këtu, nuk ka të drejtë të kalojnë në instancë tjetër me mjete të jashtëzakonshme juridike dhe për të shkuar në Gjykatën Supreme. Në bazë të të gjithë këtyre vendimeve tona që sjellim në nivel vjetor një numër prej 20-25 për qind shkojnë në revision. Këtu kemi parametrin e matjes së kualtetit dhe siç theksova më parë rreth 80 për qind e vendimeve janë të vërtetuara”, deklaron Bekim Mehmedi, kryetar i Gjykatës së Apelit në Gostivar.

Sikurse viteve të kaluara edhe sivjet në Gjykatën e Apelit më shumë ka lëndë të cilat formohen si pasojë e moszgjidhjes së problemeve pronësore-juridike.

Gjykata e Apelit sivjet ka rreth 300 lëndë më pak të zgjidhura se sa nga viti i kaluar. Nga 3386 lëndë, kanë mundur të pazgjidhura 948, një pjesë e të cilave pritet të marrin epilog deri në mbyllje të vitit. Numri i lëndëve të pazgjidhura vitin e kaluar ka qenë 663. Ndryshe, Gjykata e Apelit në Gostivar ka në kompetencë të saj Gjykatat Themelore në Gostivar, Tetovë, Kërçovë dhe Dibër. Ajo punon me lendë civile dhe ato për kundërvajtje. Ndryshe, këto statistika Gjykata e Apelit i bëri të ditura sot në shënimin e Ditës Evropiane për Drejtësi, me çka ajo hapi dyertë për mediat dhe qytetarë për t’u njoftuar nga afër me punën e tyre. Me këtë rast, ajo priti edhe grupe të ndryshme studentësh, mesin e tyre edhe ata nga Fakulteti Juridik pranë Univeristetit Ndërkombëtarë të Strugës. Gostivari Sot

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 25 Tetor, 2022 11:10 Updated