50 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit
Që në krye të herës, kryeministri Edi Rama e nisi me kritika diskutimin e tij ndaj organizatorëve të aktivitetit për 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh për nevojën e hartimit të një fjalori të plotë të Gjuhës Shqipe.
Edi Rama: Po e shpreh me fjalët e të ndjerit Robert Elsie i cili thotë: Unë vuaj shumë për fjalor sepse kur lexoj letërsi shqiptare dhe kur has një fjalë që nuk e kuptoj nuk e gjej në fjalorin e akademisë dhe kjo më mërzit shumë thotë. Ne t’ia dalim të kemi një fjalor të ri.
Nuk është e para herë që Kryeministri artikulon rrezikun që i kanoset gjuhës standarde Shqipe.
Edi Rama: Ajo që sot është akoma më e rëndësishme është rreziku që i kërcënohet gjuhës shqipe. Ku është instituti i Gjuhës Shqipe sot?
Në këtë ceremoni, i pranishëm ishte Kreu i shtetit Bajram Begaj, i cili theksoi rëndësisnë që duhet t’i jepet në shkolla gjuhës dhe letërsisë.
Bajram Begaj: Konteksti historik, politiko-social, gjuhësor e letrat në këto 50 vitet e fundit ka përjetuar ndryshime të qenësishme në mbarë hapsirën shqiptare ndaj dhe diskutimet janë shumë të mira. Ato tregojnë se kemi nevojë të kuvendojmë dhe se kjo është një punë që e kemi përzemër.
Por për gjuhëtarët, debati për standardizimin e shqipes nuk duhet të mungojë, dhe se sot shqipja si të gjitha gjuhët e botës është përpara ndryshimeve, huazimeve, dhe zhvillimit.
Akademia e Shkencave nga ana tjetër ka nisur punën e hartimit të fjalorit të madh të Gjuhës Shqipe, për të përfshirë studimet e fundit të gjuhëtarve mbi Gjuhën Shqipe.