Një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një 25-vjeçari, për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasje” sipas nenit 123 paragrafi 2 pika 1 të Kodit Penal.
Sipas njoftimit zyrtar, në një datë të papërcaktuar saktësisht, në periudhën nga 27 janari deri më 12 shkurt 2026, në fshatin Çellopek të komunës së Staro Nagoriçanit, i dyshuari me paramendim dhe në mënyrë mizore e tinëzare i ka marrë jetën një gruaje të lindur në vitin 1947.
Hetimet paraprake tregojnë se ai ka shfrytëzuar faktin që viktima jetonte e vetme dhe ishte në moshë të shtyrë. Dyshohet se ka hyrë në shtëpinë e saj derisa ajo ishte duke fjetur dhe e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar disa goditje të rënda, si pasojë e të cilave gruaja ka ndërruar jetë.
Rasti është duke u hetuar intensivisht nga Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Sipas autoriteteve, janë siguruar prova që mund ta lidhin këtë rast me disa raste të tjera të ngjashme në rajonin e Kumanovës.
Për shkak të ngjashmërive në përzgjedhjen e viktimave dhe mënyrën e kryerjes së veprës, organet hetimore po shqyrtojnë mundësinë që bëhet fjalë për të njëjtin autor. Për një nga viktimat e mundshme është urdhëruar zhvarrimi dhe autopsia, ndërsa nga trupi i gruas së ndjerë janë marrë gjurmë dhe mostra të ADN-së që po i nënshtrohen ekspertizës.
Autoritetet theksojnë se janë duke u kryer analiza dhe ekspertiza të ndërlikuara, ndërsa për shkak të fshehtësisë së procedurës, detaje shtesë nuk mund të bëhen publike në këtë fazë të hetimit.
I dyshuari është privuar nga liria menjëherë pas identifikimit dhe, me propozim të prokurorit publik, i është caktuar masa e paraburgimit. Gjithashtu, është urdhëruar ekspertizë psikiatrike nga një ekip psikiatërsh forenzikë pranë Institutit të Psikiatrisë në Shkup.
Hetimet vijojnë.

