Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur në rrugën lokale të fshatit Kuçevishtë.

Sipas informacioneve zyrtare, në aksident janë përfshirë dy automjete: një “Ford Fiesta” me targa të Shkupit, i drejtuar nga V.P. (65) nga Shkupi, dhe një “Golf” gjithashtu me targa të Shkupit, i drejtuar nga ZH.S. (57) nga fshati Kuçevishtë.

Si pasojë e përplasjes, në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë drejtuesi i automjetit “Ford”, V.P. Vdekja e tij është konstatuar nga mjeku i ndihmës së shpejtë që ka intervenuar në vendin e aksidentit.

Ndërkohë, lëndime të lehta ka pësuar edhe drejtuesi i automjetit “Golf”, ZH.S., i cili është dërguar për trajtim në Klinika ‘Nënë Tereza’ në Shkup, ku i janë konstatuar lëndimet.

Me urdhër të prokurorit publik, trupi i viktimës është dorëzuar për autopsi, ndërsa organet kompetente po hetojnë rrethanat e plota të aksidentit.