Ndërsa zyrtarët nga SHBA-ja, Ukraina dhe Rusia ishin të angazhuar në bisedime në Gjenevë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kritikoi qasjen e presidentit amerikan Donald Trump ndaj procesit të paqes.
Në një intervistë, Zelensky deklaroi se Trump po ushtronte presion të tepruar mbi Ukrainën për t’i dhënë fund luftës, duke theksuar se nuk ishte e drejtë që thirrjet publike për lëshime t’i drejtoheshin vazhdimisht Kievit dhe jo Moskës. “Shpresoj të jenë vetëm taktikat e tij dhe jo një vendim i qëndrueshëm”, tha Zelensky.
Trump ka sugjeruar ditët e fundit se i takon Ukrainës dhe vetë Zelenskyt të ndërmarrin hapa konkretë për të siguruar suksesin e negociatave. Megjithatë, Zelensky shprehu mirënjohje për përpjekjet e Trump për arritjen e paqes, duke shtuar se diskutimet me negociatorët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner nuk kanë përfshirë të njëjtin lloj presioni.
Sa i përket çështjes territoriale, Zelensky theksoi se çdo plan që do t’i kërkonte Ukrainës të hiqte dorë nga territore që Rusia nuk i ka pushtuar në rajonin lindor të Donbasit do të refuzohej nga qytetarët në një referendum të mundshëm. Ai shtoi: “Emocionalisht, njerëzit nuk do ta falin kurrë këtë. Ata nuk do të më falin mua dhe nuk do të falin as Shtetet e Bashkuara.”
Zelensky përsëriti se ukrainasit nuk mund të kuptojnë pse do t’u kërkohej të dorëzoheshin nga më shumë territore dhe bëri thirrje që pozicionet të mbahen përgjatë vijave aktuale të frontit. Bisedimet trepalëshe midis SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës pritet të vazhdojnë sot në Gjenevë.

