Njëmbëdhjetë persona janë vrarë pas një serie sulmesh të kryera nga ushtria e Shteteve të Bashkuara ndaj tri anijeve që dyshohen se po përdoreshin për trafik droge në Paqësorin Lindor dhe në rajonin e Karaibeve.
Sipas njoftimit të Komanda Jugore e Shteteve të Bashkuara (SOUTHCOM), nga 11 personat e vrarë, katër humbën jetën në anijen e parë, katër në të dytën dhe tre në të tretën. Zyrtarët amerikanë i kanë cilësuar viktimat si “narko-terroristë”.
Siç raporton BBC, administrata e udhëhequr nga Donald Trump ka ndërmarrë mbi 40 sulme vdekjeprurëse ndaj anijeve që pretendon se janë të përfshira në trafik droge që nga shtatori i vitit të kaluar.
Në deklaratën zyrtare thuhet se inteligjenca amerikane ka konfirmuar se anijet po lëviznin nëpër korridore të njohura për trafik droge dhe ishin të përfshira në operacione të paligjshme.
Ndërkaq, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se operacioni synon “shkatërrimin e narko-terroristëve nga hemisfera jonë” dhe mbrojtjen e SHBA-së nga drogat që, sipas tij, “po vrasin qytetarët tanë”.
Megjithatë, autoritetet amerikane nuk kanë publikuar prova konkrete që mbështesin pretendimet se anijet e goditura ishin të përfshira në trafik droge.

