Suedia e ka cilësuar Rusia si kërcënimin e saj më të madh ushtarak, duke paralajmëruar se sjellja gjithnjë e më agresive e Moskës mund të çojë në një përshkallëzim të rrezikshëm të situatës së sigurisë në rajon.
Sipas një raporti vjetor të publikuar nga Shërbimi i Inteligjencës dhe Sigurisë Ushtarake i Suedisë, janë evidentuar shkelje të hapësirës ajrore, akte sabotimi dhe operacione kibernetike në fqinjësinë suedeze, përfshirë zonën e Deti Baltik. Raporti e përshkruan kërcënimin rus si “serioz dhe konkret”, ndërsa sjelljen e Moskës si “oportuniste dhe agresive”.
Siç shkruan Politico, vlerësimi suedez vjen vetëm pak ditë pasi Estonia publikoi analizën e saj vjetore të inteligjencës, ku Rusia u përshkrua si “e rrezikshme pavarësisht paaftësisë së saj”.
Megjithatë, raporti estonez paralajmëroi kundër “panikut”, duke theksuar se nuk ka prova se Moska planifikon të sulmojë Estoninë apo NATO në vitin e ardhshëm. Një zyrtar i lartë i NATO-s, gjatë një informimi paraprak, theksoi se mbrojtja kolektive e aleancës, e garantuar nga Neni 5, mbetet faktori kryesor parandalues.
Sipas tij, rritja e angazhimeve për shpenzime të mbrojtjes deri në 3.5% të PBB-së nga vendet anëtare është një element kyç për ruajtjen e ekuilibrit strategjik dhe për të penguar çdo aventurë ushtarake të mundshme nga ana e Rusisë.
Raportet gjithashtu theksojnë se Moska ka rritur ndjeshëm prodhimin e artilerisë dhe municioneve – deri në 17 herë më shumë që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës – një tregues se Rusia po përgatitet për konflikte të mundshme edhe në të ardhmen.

