Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se çdo marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë duhet të përfshijë një datë të qartë për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Në një postim në rrjetin social X, Zelensky theksoi se Ukraina “do të bëjë gjithçka” për të qenë teknikisht e gatshme për anëtarësim në BE deri në vitin 2027, duke shtuar se vendi do të përmbushë të paktën hapat kryesorë drejt integrimit evropian.
“Dua një datë konkrete”, shkroi ai, duke paralajmëruar se nëse marrëveshja – e cila pritet të nënshkruhet nga SHBA-ja, Rusia, Ukraina dhe përfaqësues evropianë – nuk përmban një afat të qartë për anëtarësimin, Rusia mund të përpiqet ta bllokojë procesin në mënyrë indirekte, përmes aktorëve të caktuar evropianë.
Zelensky e cilësoi anëtarësimin në BE si një garanci sigurie për Ukrainën, duke theksuar nevojën për detaje konkrete dhe një kornizë kohore të përcaktuar qartë në çdo marrëveshje për paqe.

