Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis nuk do të marrë pjesë në seancën e parë të Bordit të Paqes të iniciuar nga presidenti amerikan Donald Trump, e cila pritet të mbahet më 19 shkurt në Uashington.

Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis, gjatë një konference për shtyp të enjten. “Nuk është në agjendën e kryeministrit”, deklaroi ai, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi arsyet e mungesës.

Bordi i Paqes fillimisht u prezantua nga Trump si një grup i vogël liderësh ndërkombëtarë që do të mbikëqyrnin zbatimin e një armëpushimi në Gaza. Megjithatë, më vonë presidenti amerikan zgjeroi ftesën për dhjetëra vende, duke sugjeruar se iniciativa mund të evoluojë në një mekanizëm më të gjerë për ndërmjetësimin dhe zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare.

Nuk është e qartë nëse Greqia do të përfshihet në fazat e mëvonshme të nismës, ndërsa Athina zyrtare nuk ka komentuar më tej mbi qëndrimin e saj lidhur me këtë platformë diplomatike.