Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi sot se është i gatshëm për veprim ushtarak kundër Iranit nëse nuk arrihet një marrëveshje mes dy vendeve.
Në një intervistë telefonike për televizionin izraelit Channel 12, Trump tha se SHBA-ja dhe Irani janë duke u përpjekur të arrijnë një marrëveshje, por paralajmëroi se Uashingtoni ka alternativa të tjera në rast se bisedimet dështojnë.
“Iranianët duan shumë të arrijnë një marrëveshje. Ose do të bëjmë një marrëveshje, ose do të duhet të ndërmarrim diçka shumë të ashpër, si herën e kaluar”, u shpreh Trump, duke iu referuar konfliktit 12-ditor të zhvilluar në qershor të vitit të kaluar.
Deklarata e tij vjen në një kohë tensionesh të vazhdueshme në Lindjen e Mesme, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek nga afër zhvillimet dhe përpjekjet diplomatike mes dy vendeve.

