Më shumë se 50 emigrantë kanë humbur jetën ose rezultojnë të zhdukur pasi një varkë me emigrantë u përmbys në brigjet e Libisë, ka njoftuar Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).
Ngjarja tragjike ka ndodhur në veri të qytetit Zuëara. Sipas IOM, në bord të mjetit lundrues ndodheshin gjithsej 53 persona, ndërsa vetëm dy prej tyre arritën të mbijetojnë. Të shpëtuarat janë dy gra nga Nigeria, të cilat kanë marrë ndihmë mjekësore nga IOM pas operacionit të shpëtimit të kryer nga autoritetet libiane.
Dëshmitarët bëjnë të ditur se varka transportonte emigrantë me origjinë afrikane dhe ishte nisur nga qyteti Al-Zawiya, rreth 44 kilometra në perëndim të Tripolit, rreth orës 23:00 të datës 5 shkurt.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin thekson se vetëm gjatë muajit janar janë raportuar të paktën 375 emigrantë të vdekur ose të zhdukur gjatë përpjekjeve për të kaluar Detin Mesdhe drejt Evropës. Ndërkohë, numri total i viktimave për vitin 2026 vlerësohet të jetë të paktën 484.
IOM paralajmëron se qindra vdekje të tjera besohet se nuk janë regjistruar, ndërsa gjatë vitit 2025 më shumë se 1,300 emigrantë janë zhdukur në Mesdheun Qendror, duke e kthyer këtë rrugë migrimi në njërën nga më vdekjeprurëset në botë.

