Kryeministri Edi Rama deklaroi se rihapja e platformës TikTok, pas një bllokimi që zgjati një vit, ishte një vendim i paralajmëruar më herët dhe erdhi si rezultat i një procesi serioz rishikimi dhe bashkëpunimi me kompaninë.
Sipas Ramës, vendimi i Këshillit të Ministrave për heqjen e masës së bllokimit u miratua këtë javë dhe nuk përbën as tërheqje, as dorëzim të qeverisë, por një hap të bazuar në interesin publik.
Ai theksoi se pas bllokimit, TikTok tregoi gatishmëri për dialog dhe bashkëpunim me institucionet shqiptare, duke shtuar se kompania nuk ndërmori veprime ligjore kundër qeverisë shqiptare, ndryshe nga palë të tjera që, sipas tij, e çuan çështjen në gjykatë.
“Këtë vendim e kam paralajmëruar më parë. Për befasinë tonë pozitive, TikTok ishte shumë i hapur dhe aktiv në ndërtimin e një dialogu me ne pas bllokimit”, u shpreh Rama.
Kryeministri nënvizoi se rihapja e TikTok nuk përfaqëson mbyllje sysh ndaj problemeve të sigurisë, por është rezultat i vendosjes së një baze të re bashkëpunimi, me filtra të rinj për përmbajtjen, mekanizma kontrolli efektiv dhe mënyra të reja raportimi dhe trajtimi të shkeljeve.
Sipas tij, qëllimi kryesor i bllokimit ka qenë mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve, dhe kjo mbetet prioritet edhe pas rihapjes së platformës.
“Sot TikTok është sërish i aksesueshëm sepse janë vendosur mekanizma të reja sigurie. Ka filtra të rinj mbi përmbajtjen dhe kontrolle që nuk ekzistonin më parë”, deklaroi Rama.

