Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka bërë deklarata të forta ndaj Ukrainës gjatë një tubimi në qytetin Szombathely, në perëndim të vendit, duke e cilësuar Kievin si “armik të Hungarisë”.
Sipas Orbanit, arsyeja kryesore e këtij qëndrimi lidhet me kërkesat e Ukrainës drejtuar Brukselit që Hungaria të përjashtohet nga marrja e energjisë së lirë ruse. Ai theksoi se këto veprime bien ndesh me interesat themelore të vendit të tij.
“Ndërsa Ukraina vepron në këtë mënyrë, armiku ynë po shkel interesat tona jetike”, deklaroi Orban, duke shtuar se pa naftën dhe gazin rus, Hungaria do të detyrohej të paguante çmime disa herë më të larta për energjinë.
Kryeministri hungarez u shpreh gjithashtu kundër anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Europian në një të ardhme të afërt. Sipas tij, Ukraina përbën një kërcënim të vazhdueshëm lufte, çka e bën të papërshtatshme për integrim në BE.
Orban paralajmëroi se një anëtarësim i mundshëm i Ukrainës do të kishte pasoja të rënda për bujqësinë dhe ekonominë e Evropës Qendrore, pasi produktet ukrainase janë më të lira dhe do të dëmtonin prodhuesit vendas.
“Ne duhet të bashkëpunojmë me ukrainasit, por nuk mund të ketë asnjë diskutim për anëtarësim në Bashkimin Europian”, përfundoi Orban.

