Një aeroplan i një kompanie ajrore të njohur në RMV, i cili po fluturonte këtë mëngjes nga Shkupi drejt Parisit, është detyruar të devijojë itinerarin dhe të ulet në Aeroportin e Brukselit, pasi ekuipazhi shpalli gjendje emergjente për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të një pasagjeri.

Sipas raportimeve të mediave vendase, ndërsa avioni ndodhej në hapësirën ajrore mbi Luksemburg, pilotët kërkuan një ulje emergjente në aeroportin më të afërt, për t’i ofruar ndihmë mjekësore të menjëhershme pasagjerit në fjalë.

Të dhënat nga platforma Flight RouteXplorer tregojnë se emergjenca u shpall rreth dy orë pas ngritjes së avionit. Fluturimi ishte me numër W64719 dhe operohej nga një Airbus A321neo.

Ndërkohë, edhe platforma Flightradar24 konfirmoi se avioni përfundoi fluturimin në kryeqytetin belg, në vend të destinacionit fillestar, Parisit.

Nuk ka ende informacion zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të pasagjerit apo mbi vazhdimin e fluturimit për pasagjerët e tjerë.