Në një takim të mundshëm të ardhshëm, në tryezë mund të jenë të pranishëm presidenti turk Rexhep Taip Erdogan dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, me qëllim diskutimin e çështjeve të Detit Egje dhe bashkëpunimit ekonomik.

Që nga krijimi i Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit në 2010, marrëdhëniet mes dy partnerëve të NATO-s kanë pasur përparime të kufizuara, megjithatë fokusimi i Këshillit ka qenë nxitja e një agjende pozitive, sidomos në ekonomi dhe turizëm. Takimi i fundit u mbajt në Athinë në dhjetor 2023.

Një pikë e re debati është përdorimi nga Turqia i sistemit Navtex, për të paralajmëruar aktivitetet ushtarake dhe rreziqet e sigurisë në Egje. Athina e sheh këtë si një përpjekje për zgjerim të ujërave territoriale, ndërsa Ankaraja e konsideron të ligjshëm.

Për dekada, Greqia dhe Turqia kanë pasur mosmarrëveshje për shelfin kontinental, shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe zgjerimin e ujërave territoriale. Konventa e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtën e Detit (1982) është busulla ligjore, megjithëse Turqia nuk e ka nënshkruar. Marrëveshje dypalëshe për kufijtë ende nuk ka, dhe çdo zgjidhje e mundshme kërkon dakordësinë e të dyja palëve.

Ekspertët paralajmërojnë se, pa një marrëveshje të përbashkët, çështjet e Detit Egje mund të mbeten burim tensioni të vazhdueshëm, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë mund të ndërhyjë vetëm me kërkesë të palëve.