Gadishulli Iberik është përfshirë nga stuhia e fuqishme “Leonardo”, e cila ka shkaktuar shira të rrëmbyeshëm, erëra të forta dhe përmbytje në disa zona të Portugalisë dhe Spanjës.

Portugali, një person ka humbur jetën pasi rrjedha e fortë e ujit mori përpara automjetin e tij, njoftuan autoritetet lokale. Ndërkohë, Mbrojtja Civile Kombëtare ka raportuar të paktën 70 incidente që nga mëngjesi i së enjtes, përfshirë përmbytje, rrëshqitje dhe ndërprerje të qarkullimit rrugor.

Spanjë, shërbimet e emergjencës po kërkojnë një vajzë të zhdukur, e cila dyshohet se është hedhur në një lumë për të shpëtuar qenin e saj. Autoritetet kanë ngritur nivelin e gatishmërisë në disa rajone për shkak të rrezikut në rritje nga përmbytjet.

Sipas Shërbimeve të Emergjencës së Andaluzisë, 14 lumenj dhe 10 diga ndodhen në rrezik ekstrem përmbytjeje, ndërsa banorët janë paralajmëruar të shmangin zonat pranë rrjedhave ujore.

Kjo stuhi vjen vetëm një javë pas stuhisë “Kristin”, e cila shkaktoi mbi 4 miliardë euro dëme në Portugali, ndërsa vendi ende nuk është rimëkëmbur plotësisht nga pasojat e saj.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e sigurisë dhe të qëndrojnë të informuar për zhvillimet e mëtejshme të situatës.