Komuna e Gostivarit ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me Klubin e Basketbollit “Gostivari”, me të cilën Komuna zyrtarisht bëhet aksionare në klub.
Nga Komuna vlerësojnë se ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm institucional në mbështetje të zhvillimit dhe stabilitetit afatgjatë të klubit.
“Ky vendim dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të Komunës së Gostivarit për avancimin e sportit dhe kulturës sportive në qytet, si dhe për krijimin e kushteve të qëndrueshme për funksionimin e klubeve sportive”, thuhet në njoftimin zyrtar të Komunës.
Sipas autoriteteve lokale, marrëveshja dërgon një mesazh të qartë se sporti në Gostivar gëzon mbështetje serioze institucionale.
“Institucionet lokale janë të përkushtuara në ndërtimin e klubeve të forta, funksionale dhe me perspektivë, që përfaqësojnë denjësisht qytetin dhe krijojnë mundësi për të rinjtë”, theksohet më tej në njoftim.
Komuna e Gostivarit ka bërë të ditur se do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e fuqishme e sportit dhe sportistëve në qytet, duke e konsideruar sportin si një komponent të rëndësishëm të zhvillimit shoqëror dhe komunitar. Gazeta Flaka

