Një shtetas 42-vjeçar nga Maqedonia e Veriut është arrestuar në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë, pasi refuzoi t’i nënshtrohej kontrollit policor në vijën e dytë të kontrollit kufitar dhe më pas tentoi të largohej me shpejtësi.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë përpjekjes për t’u larguar, drejtuesi i automjetit rrezikoi jetën e punonjësve të Policisë Kufitare që ndodheshin në shërbim. Pas ndërhyrjes së forcave policore, personi u neutralizua dhe u arrestua.
Bëhet fjalë për shtetasin me iniciale G.K., banues në Maqedoninë e Veriut, i cili pas veprimeve hetimore u arrestua për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit”.
Automjeti me të cilin ai po lëvizte u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme ligjore.

