Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, ka lëshuar një alarm të fortë për gjendjen e rendit ndërkombëtar dhe për sfidat me të cilat përballet vetë OKB-ja. Deklarata u bë gjatë një intervistë për La Repubblica, në kuadër të vizitës së tij në Itali për hapjen e Lojërave Olimpike.
“Kur ligji i forcës zëvendëson forcën e ligjit, pasojat janë thellësisht destabilizuese”, paralajmëroi Guterres, duke theksuar se veprimet e pamatura në arenën ndërkombëtare dhe dobësimi i multilateralizmit po rrisin rrezikun e përplasjeve globale.
Kriza financiare e OKB-së
Sekretari i Përgjithshëm paralajmëroi për një rrezik kolapsi financiar të OKB-së, për shkak të mospagesës së kontributeve nga disa shtete anëtare. “Kjo e ekspozon OKB-në ndaj rreziqeve financiare strukturore dhe kërkon një zgjedhje të qartë: ose shtetet anëtare reformojnë rregullat financiare të OKB-së, ose pranojnë perspektivën reale të kolapsit financiar”, tha ai.
Rëndësia e Këshillit të Sigurimit
Guterres theksoi gjithashtu se përgjegjësia për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare i takon Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe se asnjë mekanizëm tjetër nuk mund ta zëvendësojë këtë rol. Ai kujtoi se Rezoluta 2803 për Gazën përcakton përgjegjësi të qarta dhe nënvizoi nevojën për respektimin e armëpushimit dhe zhvillimin e një zgjidhjeje me dy shtete.
“Vetëm Këshilli i Sigurimit ka autoritetin për të miratuar vendime detyruese dhe për të autorizuar përdorimin e forcës sipas së drejtës ndërkombëtare. Për këtë arsye, forcimi dhe reforma e Këshillit mbeten thelbësore”, shtoi Guterres.

