Një incident i rëndë ka ndodhur në Francën jugore, ku një nxënës 14-vjeçar ka sulmuar me thikë mësuesen e tij brenda një klase, duke e plagosur rëndë. Ngjarja ka ndodhur në qytetin Sanary-sur-Mer, ndërsa autoritetet franceze kanë nisur menjëherë hetimet.
Sipas prokurorit të shtetit, Raphaël Balland, adoleshenti e ka goditur mësuesen tre deri në katër herë me thikë, duke i shkaktuar lëndime serioze në pjesën e sipërme të trupit. Stafi i shkollës ka ndërhyrë me shpejtësi, duke e neutralizuar nxënësin në oborrin e shkollës, para se ai të arrestohej nga policia.
14-vjeçari ndodhet në paraburgim dhe po hetohet për tentativë vrasjeje. Autoritetet kanë bërë të ditur se nuk ka prova për motiv fetar apo politik, ndërsa dyshohet se sulmi ka ardhur pas tensioneve të vazhdueshme mes nxënësit dhe mësueses, pasi kjo e fundit e kishte denoncuar për sjellje problematike.
Prokuroria thekson se adoleshenti nuk kishte precedentë penalë apo sjellje të mëparshme të dhunshme, por raportohet për tensione brenda familjes së tij. Në momentin e sulmit, në klasë ndodheshin 22 nxënës, fatmirësisht pa viktima të tjera.
Ministri francez i Arsimit, Éduard Geffray, dhe Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, kanë shprehur solidaritetin e tyre me të prekurit dhe kanë njoftuar vizitë urgjente në vendngjarje.
Sipas mediave franceze, mësuesja e sulmuar ishte një 60-vjeçare, mësuese arti, e cila ndodhet në spital në gjendje të rëndë, me lëndime që rrezikojnë jetën.
Ngjarja vjen në një kohë kur Franca ka shtuar masat e sigurisë në shkolla, përfshirë kontrolle të çantave, pas një serie sulmesh me thikë në ambientet arsimore gjatë vitit të fundit.

