I dërguari special i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, Steve Witkoff, pritet të marrë pjesë në raundin e ardhshëm të bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë, të planifikuara të mbahen më 4 dhe 5 shkurt në Abu Dhabi.
Lajmi është bërë i ditur nga Barak Ravid, korrespondent për çështje globale në Axios, i cili thekson se Witkoff do të mbërrijë fillimisht në Izrael më 3 shkurt, përpara se të udhëtojë drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, ku do të zhvillohen negociatat.
Kjo pjesëmarrje vjen ndryshe nga deklaratat e mëparshme të zyrtarëve amerikanë. Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, kishte deklaruar se Witkoff dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner, nuk do të ishin pjesë e raundit të ardhshëm të bisedimeve me Rusinë dhe Ukrainën, duke shtuar megjithatë se një prani amerikane ishte e mundur.
Negociatat zhvillohen në një moment të ndjeshëm diplomatik. Më 30 janar, Presidenti Trump deklaroi se sheh një mundësi reale për negociata të suksesshme që mund t’i japin fund luftës ruso-ukrainase. Një ditë më pas, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u shpreh se nuk ishte i sigurt nëse bisedimet e paqes ndodheshin në fazat përfundimtare apo nëse do të duhej të përfshiheshin edhe vende të tjera ndërmjetësuese.
Kujtojmë se raundi i parë i bisedimeve trepalëshe mes Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë u mbajt në Abu Dhabi më 23–24 janar, ku u diskutuan parametrat kryesorë për një përfundim të mundshëm të luftës.

