Presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodríguez, ka paraqitur një projektligj amnistie që synon lirimin e qindra të burgosurve politikë që janë ndaluar gjatë gjithë periudhës nga viti 1999 deri më sot, njoftuan mediat ndërkombëtare. Ligjvënësit pritet ta shqyrtojnë tekstin në Asamblenë Kombëtare në ditët në vijim.
Rodríguez paraqiti iniciativën gjatë një ceremoni zyrtare në Gjykatën Supreme të Venezuelës, duke theksuar se ligji synon “të shërojë plagët e lëna nga konfrontimi politik” dhe të promovojë paqen dhe bashkëjetesën në vend. Përjashtohen nga amnistia ata që janë dënuar për vrasje, trafikim droge, korrupsion ose shkelje të të drejtave të njeriut.
Sipas organizatës venezueliane për të drejtat e të burgosurve Foro Penal, aktualisht rreth 711 persona mbeten të arrestuar për arsye politike, megjithëse shifrat zyrtare të lirimeve janë të ndryshme. Qeveria pretendon se mbi 600 persona janë liruar që nga fillimi i muajit janar, por organizatat për të drejtat e njeriut thonë se numri i personave të liruar është më i ulët dhe procesi po avancon ngadalë.
Një nga rrethe të njohura të paraburgimit, El Helicoide në Caracas – i lidhur me pretendime për torturë dhe abuzime të të drejtave nga shërbimet e sigurisë – është planifikuar të mbyllet dhe të shndërrohet në një qendër sportive dhe sociale.
Në reagime të ndryshme, udhëheqës të opozitës, përfshirë fituesen e Çmimit Nobel për Paqen 2025, María Corina Machado, kanë kritikuar qeverinë, duke theksuar se iniciativa është rezultat i presioneve të huaja dhe jo i vullnetit të brendshëm për reforma.
Organizatat për të drejtat e njeriut e kanë mirëpritur lajmin me kujdes, duke kërkuar transparencë në zbatim dhe që amnistia të respektojë standardet kushtetuese dhe të drejtat e të gjithë të përfshirëve.
Ky është propozimi i parë për amnisti të përgjithshme që nga viti 2007 kur ish‑presidenti Hugo Chávez bëri një falje për pjesëmarrësit e grushtit të shtetit të vitit 2002.

