Kalimi kufitar Rafah midis Egjiptit dhe Rripit të Gazës është rihapur sot, por me kufizime të forta dhe vetëm në “bazë prove”, raportojnë mediat izraelite. Sipas portalit izraelit Ynet, lëvizja e njerëzve nuk do të lejohet sot, por pritet të fillojë nga dita e nesërme, ndërsa procedurat e sigurisë dhe aspektet operacionale janë ende duke u diskutuar.
Raporti është konfirmuar nga një zëdhënëse izraelite, ndërkohë që burime palestineze bëjnë të ditur se fillimisht rreth 50 pacientë nga Gaza do të lejohen të largohen së bashku me shoqëruesit e tyre. Megjithatë, burime të sigurisë egjiptiane theksojnë se Izraeli ende nuk e ka hapur anën palestineze të kalimit, çka bën që asnjë palestinez të mos largohet nga Gaza sot.
Ushtria izraelite ka mbajtur kontrollin e pikës kufitare që nga armëpushimi i tetorit, i cili pasoi më shumë se dy vjet luftë në Rripin e Gazës. Hapja e plotë e kalimit është shtyrë për nesër, ndërsa autoritetet vlerësojnë se rreth 150 persona në ditë do të lejohen të largohen nga Gaza, dhe rreth 50 të tjerë të kthehen në territorin palestinez të shkatërruar nga lufta.
Izraeli e pushtoi pikën kufitare Rafah në maj të vitit 2024, rreth nëntë muaj pas shpërthimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Në fillim të kësaj jave, autoritetet izraelite njoftuan se kalimi do të rihapej për “lëvizje të kufizuar njerëzish”, pas dorëzimit nga Hamasi të eshtrave të pengut të fundit izraelit të mbajtur në Gaza.
Hapja e Rafahut është pjesë e planit të paqes për Gazën të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Sipas autoriteteve izraelite, vetëm rreth 42,000 palestinezë që u larguan nga Gaza gjatë luftës do të mund të hyjnë sërish në territor përmes këtij kalimi.
Mijëra pacientë në pritje të trajtimit
Sipas autoriteteve shëndetësore në Rripin e Gazës, rreth 20,000 palestinezë presin miratimin për t’u larguar drejt Egjiptit për trajtim mjekësor. Midis tyre janë 440 raste akute, ku jeta e pacientëve është në rrezik të drejtpërdrejtë, si dhe rreth 4,000 pacientë me kancer dhe 4,500 fëmijë që ndodhen në listën e urgjencës.
Hyrja dhe dalja nga Gaza do të bëhet në koordinim me Egjiptin, pas kontrolleve të sigurisë izraelite dhe nën monitorimin e një misioni të Bashkimit Evropian. Deri tani, vetëm ndihma humanitare e kufizuar ka hyrë në territorin palestinez përmes kalimeve me Izraelin.

