Danimarka ka miratuar një nga reformat më të ashpra ligjore në Bashkimin Evropian, e cila synon deportimin e menjëhershëm të shtetasve të huaj që kryejnë vepra të rënda penale.
Sipas paketës së re ligjore, çdo person i huaj që dënohet me të paktën një vit burg pa kusht për krime të tilla si përdhunimi ose sulmet e rënda, do të përballet me dëbim të detyrueshëm nga vendi.
Kryeministrja Mette Frederiksen ka deklaruar se masa është e guximshme dhe mund të sjellë përplasje me Konventat Evropiane të të Drejtave të Njeriut, por qeveria mbetet e vendosur për të ndryshuar realitetin aktual.
Ministri i Imigracionit, Rasmus Stoklund, ka theksuar se sistemi aktual ka dështuar, pasi 315 kriminelë të huaj me dënime mbi një vit burg gjatë pesë viteve të fundit nuk janë dëbuar nga Danimarka.
Përveç ndryshimeve të brendshme, Danimarka do të rihapë ambasadën në Siri, do të forcojë bashkëpunimin me autoritetet në Afganistan dhe do të vendosë një sistem të ri monitorimi për të huajt me precedentë penalë.
Ky vendim vjen ndërkohë që Bashkimi Evropian po rishikon paktin e tij të migracionit, duke vendosur rregulla më të rrepta për azilin, duke reflektuar një trend të rritjes së masave më të ashpra ndaj emigracionit dhe kriminalitetit të lidhur me të huajt.

