Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se data ose vendi i zhvillimit të raundit të ardhshëm të bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, mund të ndryshojnë për shkak të zhvillimeve të fundit ndërkombëtare.
Sipas njoftimit nga zyra e Zelenskyt, presidenti ukrainas tha se situata aktuale mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mund të ndikojë drejtpërdrejt në kohën e mbajtjes së takimit të radhës.
“Data ose lokacioni mund të ndryshojnë, sepse sipas mendimit tonë, diçka po ndodh në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Iranit. Ky zhvillim i ngjarjeve ka shumë gjasa të ndikojë në kohën e takimit,” citohet të ketë thënë Zelensky.
Sipas paralajmërimeve të mëhershme, raundi i ri i negociatave ishte planifikuar të mbahej të dielën në Abu Dabi, por Zelensky tha se aktualisht nuk dihet se kur do të zhvillohet takimi i ardhshëm.
Bisedimet kanë për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për përfundimin e luftës në Ukrainë, e cila ka nisur në shkurt të vitit 2022 dhe vazhdon të ketë pasoja të rënda humanitare dhe gjeopolitike.

