Legjislatura e Venezuelës ka miratuar të enjten hapjen e sektorit të naftës ndaj privatizimit, duke përmbysur një nga parimet themelore të qeverisjes socialiste që ka drejtuar vendin për më shumë se dy dekada, raporton agjencia AP.
Asambleja Kombëtare votoi rishikimin e ligjit të industrisë së energjisë më pak se një muaj pas arrestimit të bujshëm të presidentit Nicolas Maduro gjatë një operacioni ushtarak amerikan në kryeqytetin Caracas. Projektligji tani pret nënshkrimin e presidentes në detyrë, Delcy Rodriguez, e cila i propozoi ndryshimet pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump se SHBA do të merrte kontrollin e eksporteve të naftës së Venezuelës dhe do të ringjallte industrinë përmes investimeve të huaja.
Ligji i ri u jep kompanive private kontroll mbi prodhimin dhe shitjen e naftës, si dhe lejon arbitrazh të pavarur ndërkombëtar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve – një kërkesë e kahershme e investitorëve të huaj.
Qeveria e Rodriguezit shpreson se këto ndryshime do të shërbejnë si garanci për kompanitë e mëdha amerikane të naftës, të cilat kanë hezituar të rikthehen në Venezuelë pas humbjeve të mëdha të pësuara nga nacionalizimi i industrisë dy dekada më parë, kur u favorizua kompania shtetërore PDVSA.
Projektligji parashikon gjithashtu ndryshime në taksat e nxjerrjes së naftës, duke vendosur një tavan të rentës prej 30% dhe duke i dhënë degës ekzekutive kompetencën për të përcaktuar normat sipas projekteve, nevojave për investime kapitale dhe konkurrueshmërisë.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është heqja e detyrimit që mosmarrëveshjet të zgjidhen vetëm në gjykatat venezuelane, të cilat kontrollohen nga partia në pushtet. Investitorët e huaj e kanë konsideruar prej kohësh arbitrazhin e pavarur si thelbësor për mbrojtjen nga shpronësimet.
Ligjvënësi i mazhorancës Orlando Camacho, kryetar i komitetit të naftës në Asamble, tha se reforma “do ta ndryshojë ekonominë e vendit”. Ndërkohë, deputeti i opozitës Antonio Ecarri kërkoi përfshirjen e mekanizmave të transparencës dhe llogaridhënies, duke paralajmëruar për korrupsion sistematik në mungesë të mbikëqyrjes.
Punëtorë të industrisë së naftës festuan miratimin e ligjit brenda Asamblesë, duke valëvitur flamurin venezuelan.
Ligji i industrisë së naftës ishte ndryshuar për herë të fundit në vitin 2006 nga ish-presidenti Hugo Chavez, i cili e vendosi kontrollin shtetëror si shtyllë të revolucionit socialist. Nacionalizimi i aseteve çoi në përplasje me kompani të mëdha perëndimore si ExxonMobil dhe ConocoPhillips, të cilat ende kërkojnë miliarda dollarë dëmshpërblim përmes arbitrazhit.
Venezuela zotëron rezervat më të mëdha të naftës së papërpunuar në botë, por kriza e rëndë ekonomike ka detyruar mbi 7 milionë qytetarë të emigrojnë që nga viti 2014, ndërsa sanksionet amerikane kanë goditur rëndë industrinë.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se ka informuar presidenten në detyrë Delcy Rodriguez për hapjen e plotë të hapësirës ajrore komerciale mbi Venezuelën, duke shtuar se qytetarët amerikanë së shpejti do të jenë në gjendje ta vizitojnë vendin në mënyrë të sigurt.

