Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka njoftuar të hënën se rreziku nga përhapja e virusit Nipah nga India mbetet i ulët dhe se aktualisht nuk rekomandohen kufizime për udhëtime apo tregti, pas konfirmimit të dy rasteve të infektimit në këtë vend.
Sipas OBSH-së, autoritetet shëndetësore indiane kanë kapacitetin e nevojshëm për të parandaluar shpërthime më të gjera dhe deri tani nuk ka prova për rritje të transmetimit të virusit nga njeriu te njeriu. Organizata theksoi se është në koordinim të vazhdueshëm me institucionet shëndetësore të Indisë, raporton agjencia Reuters.
Megjithatë, OBSH paralajmëroi se nuk mund të përjashtohet plotësisht mundësia e ekspozimeve të reja, pasi virusi Nipah qarkullon natyrshëm mes popullatave të lakuriqëve të natës në disa rajone të Indisë dhe në Bangladeshin fqinj.
Virusi Nipah konsiderohet një sëmundje e rrallë, por potencialisht e rrezikshme, e cila mund të shkaktojë komplikime të rënda shëndetësore, përfshirë infeksione të sistemit nervor dhe respirator.

