Policia ka raportuar një tjetër rast shqetësues të dhunës në familje ndaj një gruaje në qytetin e Velesit. Një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, duke e plagosur me cigare të ndezur dhe duke dëmtuar sende në banesë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i dyshuari është arrestuar mbrëmjen e kaluar.
“Zyrtarët policorë nga Sektori për Punë të Brendshme Veles kanë arrestuar mbrëmë rreth orës 22:40 një 32-vjeçar nga Velesi, pasi ishte raportuar se ai kishte thyer sende në shtëpinë e tij dhe kishte plagosur bashkëshorten e tij 33-vjeçare me cigare të ndezur. Rasti do të procedohet në përputhje me ligjin”, thuhet në buletinin e policisë.
Rasti vjen në një periudhë kur në vend janë shënuar disa raste të rënda të dhunës në familje ndaj grave, të cilat kanë ngritur shqetësim në opinionin publik.
Ngjarja më tragjike e muajve të fundit ka ndodhur pikërisht në Veles, ku një banor nga Shkupi, Ilija Stefanovski, goditi për vdekje me thikë ish-partneren e tij, Rosica Koceva, dhe babanë e saj, Kiro Kocev, përpara se të kryente vetëvrasje.
Autoritetet bëjnë thirrje për raportimin në kohë të rasteve të dhunës në familje dhe për mbështetje institucionale për viktimat.

