Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, i ka bërë thirrje SHBA-së të përmbahet nga sulmet kundër Iranit, ndërsa tensionet në rajon janë në rritje. Deklarata erdhi pas akuzave të Ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i cili kritikoi BE-në për “ndezjen e flakëve” dhe e quajti listimin e Trupës së Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) si një “marifet PR” për të fshehur dobësinë e Evropës.
Kallas tha se rajoni nuk ka nevojë për një luftë të re, dhe se futja në listën e zezë e IRGC-së mund të ushtrojë presion të madh mbi regjimin islamik pas shtypjes brutale të protestave të fundit në Iran, të cilat kanë shkaktuar viktima në masë.
Ndërkohë, Araghchi paralajmëroi se një konflikt i përgjithshëm kundër Iranit do të ishte “thellësisht dëmtues” për BE-në, duke ndikuar në rritjen e çmimeve të energjisë. Ai do të zhvillojë bisedime në Ankara me homologun turk mbi krizën në rritje.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar për një sulm të mundshëm masiv ndaj Iranit, duke theksuar se çdo ofensivë e ardhshme do të ishte më e rëndë se bombardimet e qershorit të kaluar. Sipas raporteve të CNN, vendimi përfundimtar ende nuk është marrë, por Uashingtoni po shqyrton opsionin e një sulmi të madh ndaj udhëheqësve, institucioneve qeveritare dhe centraleve bërthamore të Iranit.

