Moska zyrtare ka deklaruar të enjten se ende ekziston hapësirë për negociata mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, duke paralajmëruar se çdo përdorim force kundër Teheranit do të sillte pasoja të rënda dhe do të shkaktonte destabilizim në të gjithë Lindjen e Mesme.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i bëri komentet një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i kërkoi Iranit të ulej në tryezën e bisedimeve dhe të arrinte një marrëveshje mbi programin bërthamor, duke paralajmëruar për pasoja në rast refuzimi.
“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje dhe të heqin dorë nga çdo përdorim force për zgjidhjen e çështjeve. Është e qartë se potenciali për negociata nuk është shteruar. Fokusi duhet të jetë te mekanizmat negociues”, ka deklaruar Peskov për gazetarët.
Ai ka theksuar se çdo veprim i dhunshëm do të sillte kaos në rajon dhe pasoja shumë të rrezikshme për stabilitetin e sistemit të sigurisë në Lindjen e Mesme.
Rusia, ndërkohë, ka forcuar ndjeshëm marrëdhëniet me Iranin që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe në janar të vitit 2025 ka nënshkruar një traktat 20-vjeçar partneriteti strategjik me Republikën Islamike të Iranit.

