Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zhvillojnë stërvitje ajrore ushtarake disa ditore në Lindjen e Mesme, në një moment kur tensionet me Iranin po përshkallëzohen ndjeshëm.

Forcat amerikane konfirmuan se stërvitjet kanë për qëllim testimin e aftësive për shpërndarje të shpejtë, operim dhe goditje luftarake në kushte të vështira, në bashkëpunim me partnerët rajonalë.

Njoftimi vjen pas deklaratave të forta të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili paralajmëroi se një “armadë” amerikane është duke u zhvendosur drejt Iranit, duke mos përjashtuar mundësinë e veprimeve ushtarake.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), grupi luftarak i aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln ka mbërritur tashmë në rajon, duke forcuar ndjeshëm praninë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, zyrtarë amerikanë theksuan se deri më tani nuk është marrë asnjë vendim për ndërhyrje ushtarake, ndërsa Shtëpia e Bardhë po shqyrton opsione të ndryshme politike dhe ushtarake.

Tensionet janë rritur pas shtypjes së dhunshme të protestave antiqeveritare në Iran. Sipas organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, mijëra protestues kanë humbur jetën, ndërsa autoritetet iraniane kanë pranuar se ka pasur viktima të shumta.

Nga ana tjetër, Teherani ka reaguar ashpër ndaj lëvizjeve amerikane, duke paralajmëruar se çdo sulm do të pasohet nga kundërpërgjigje e fortë ushtarake, çka mund të destabilizojë të gjithë rajonin.

Zyrtarë iranianë deklaruan se prania e anijeve luftarake amerikane nuk ndikon në kapacitetet mbrojtëse të vendit dhe se forcat e armatosura janë në gjendje gatishmërie të plotë. Në Teheran janë shfaqur edhe posterë propagandistikë me mesazhe kërcënuese kundër SHBA-së.

Pavarësisht retorikës së ashpër, Washingtoni ka bërë të ditur se mbetet i hapur për dialog, nëse Irani pranon kushtet për negociata.

Ndërkohë, disa aleatë të SHBA-së në rajon, përfshirë Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë deklaruar se nuk do të lejojnë përdorimin e hapësirës së tyre ajrore për sulme ndaj Iranit.