Bisedimet trepalëshe ndërmjet Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara për arritjen e një zgjidhjeje të luftës në Ukrainë do të rifillojnë më 1 shkurt në Abu Dhabi, njoftoi të mërkurën agjencia ruse e lajmeve Interfax, duke cituar burime nga Kremlini.

Raundi i parë i këtyre negociatave u mbajt në të njëjtin qytet fundjavën e kaluar, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit që së shpejti pritet të mbushë katër vjet.

Ndërkohë, lidhur me mundësinë e një takimi të drejtpërdrejtë mes Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, këshilltari për politikë të jashtme i Kremlinit, Yuriy Ushakov, deklaroi se një takim i tillë duhet të jetë i përgatitur mirë dhe i orientuar drejt rezultateve konkrete.

Duke folur për televizionin shtetëror rus, Ushakov tha se Moska nuk e ka përjashtuar asnjëherë një takim mes dy liderëve dhe se, nëse Zelensky është i gatshëm, ai mund të udhëtojë në Moskë, ku, sipas tij, do t’i garantohej siguria personale.

Nuk është hera e parë që Rusia hedh idenë e një takimi në Moskë. Vitin e kaluar, Zelensky e kishte refuzuar një propozim të tillë, duke i ofruar Putinit që takimi të mbahej në Kiev.

Sipas mediave amerikane, zhvillimet e fundit diplomatike kanë rritur gjasat për një takim mes dy presidentëve. Një zyrtar amerikan i paidentifikuar i ka thënë Axios se “Zelensky dhe Putin janë shumë afër arritjes së një marrëveshjeje për t’u takuar”, pas bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga Uashingtoni javën e kaluar në Abu Dhabi.